Qyteza e Shëngjinit priti dje paradite tre nga ish Presidentët e rajonit të Ballkanit; ish Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, ish Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun dhe ish Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun. Me propozim të Këshillit të Komunës, tre ish Presidentëve ju dha titulli “Qytetar Nderi” për kontributin e përbashkët në shërbim të paqes dhe miqësisë në rajonin e Ballkanit. Duke u dorëzuar titullin, Kryetari i Komunës së Shëngjinit, Salvador Kaçaj, i vlerësoi tre ish Presidentët si arkitektë të ndryshimeve në Rajon. Ish Presidenti i Kroacisë, Mesiç, vlerësoi dhënien e titullit “Qytetar Nderi” si dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta për të mirën e popujve të Rajonit. Ne, tha ai, nuk kemi kërkuar gjë tjetër, përveçse që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë popujt e tjerë të rajonit. Besoj, tha ish Presidenti i Kroacisë, se një padrejtësi që i ishte bërë shqiptarëve tashmë është korrigjuar me çlirimin e Kosovës. Tani, shtoi ai, është koha që bashkërisht të punojmë për përmbushjen e një aspirate tjetër, atë të hyrjes së bashku në Bashkimin Europian. Ish- presidenti Mesiç tha se tashmë në Rajon nuk ka më luftëra, ndaj duhen hapur edhe kufijtë për t’u dhënë të rinjve vullnetin për të punuar së bashku për integrimin në BE. Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Rruga e Kombit, së bashku me Portin e Shëngjinit dhe portet e tjera të Shqipërisë, i ofrojnë Kosovës mundësi të mëdha të komunikimeve ekonomike dhe tregtare me Mesdheun dhe me botën. Për ish Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiun, me përpjekje të përbashkëta Ballkani është shndërruar në një rajon paqeje, që aspiron integrimin në BE. Rajoni i Ballkanit, i cili dikur është quajtur “Fuqi Baroti” të kthehet nga fuqi baruti në një zonë paqeje, në një zonë paqeje që njerëzit, pavarësisht nga gjuha, zakonet dhe besimet të jetojnë së bashku dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre të begatshme. Dhe të gjithë juve keni përjetuar dhe parë ndryshimet në jetën tuaj dhe unë them se, perspektiva edhe më të mëdha i ofrohen Shqipërisë dhe Shëngjinit me integrimin në BE.
Komentet Më të Fundit