Si Allen Dallesi injoroi takimin me
Leninin për shkak të takimit me një vajzë
Allen Dalles (Allen Dulles) Drejtori i respektuar i CIA-s, gjatë presidencës së Ajzenhauerit, duke u theksuar oficerëve të rinj të shërbimit inteligjent amerikan se asnjë informacion sado i parëndësishëm në dukje, nuk duhet nënvleftësuar, u sillte për ilustrim një episod nga jeta e tij si diplomat gjatë luftës se parë botërore, që mbeti si incident famoz në analet e CIA-s amerikane, për faktin se kishte të bënte me Vladimir Iliç Leninin.
Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, Allen Dalles kishte filluar punën si diplomat i ri në ambasadën amerikane në Bern, Zvicër. Atë kohë udhëheqësi bolshevik, V.I. Lenini (i mërguar në Zvicër) kishte vendosur një lidhje të ndërmjetme me Presidentin Uillson, nëpërmjet konsullit amerikan në Zurih, të cilit i jepte informacione që i vinin nga miqtë e tij brenda në Rusi. Këto informacione shiheshin me rezervë nga amerikanët e më shumë nuk i dërgoheshin presidentit Uillson se sa i dërgoheshin, pasi Leninit si i “kuq” që ishte, nuk mund t’i besohej. Për më tepër, V. I. Lenini i jepte informacionet e tij nëpërmjet konsullit McNally, i cili vetë për shkak të martesës të së bijës me një gjerman, shihej me dyshim e madje bëheshin plane për ta kthyer në Amerikë. Në pasditen e 11 Prillit, 1917, kur shumica e personelit kishte mbaruar punën për atë ditë, në zyre bie telefoni dhe Allen Dallesi ngre receptorin. Një zë i huaj me një theks të rëndë gjerman i tha se ishte Vladimir Iliç Lenini. Folësi ndihej i emocionuar. I shpjegoi se do të ndodhej atë pasdite aty, pasi duhej të bisedonte (patjetër!) për një çështje të rëndësishme. Allen Dallesi, diplomati i ri dhe i pashëm, që atë mbrëmje kishte lënë takim me një vajzë, i tha se atë kohë kur Lenini do të mbërrinte, zyra do qe mbyllur, prandaj do ishte më mirë të vinte të nesërmen në mëngjes, rreth orës 10 a.m kur të fillonte puna. “Nesër, do të jetë shumë vonë. Unë duhet të vij sonte. Duhet të bisedoj sonte, patjetër,… me dikë…” shpjegonte zëri me një ankth që po rritej.
Ndërkohë, diplomati i ri Dalles mendonte: E ç’lajm, mund të qe ai që nuk priste deri nesër? Që Cari ra dhe pushtetin po e merrnin revolucionarët ruse? Këtë e kishin të gjitha gazetat! E ç’rëndësi kishte se kush e merrte pushtetin, kur shtetet e tyre ishin ende aleatë në luftën kundër gjermaneve? Ç’fare influence kishte ky njeri në Rusi, kur i mërguar në Zvicër siç ishte, kishte ngecur aty e nuk kishte mundësi as të kthehej në vendin e vet? “Më vjen keq, por duhet të vish nesër, n’ora 10 am, kur të hapen zyrat”, u përgjigj përfundimisht i vendosur diplomati i ri dhe mbylli telefonin.
Të nesërmen ora 10, në mëngjes, Lenini e kishte lënë Zvicrën dhe po hynte në kufirin rus, i ndihmuar nga vetë gjermanët të cilët ishin të interesuar që Rusia të pushonte luftën. Lenini arriti në Petrograd në 17 prill 1917 dhe menjëherë urdhëroi të fillonin bisedimet e paqes me Gjermaninë. Ky ishte informacioni i jashtëzakonshëm që udhëheqësi rus kishte vendosur t’ia transmetonte presidentit Uillson, të cilin ndodhi që ai e admironte.
Allen Dallesi e kishte injoruar takimin me Leninin për shkak të takimit me një vajzë.
——
Tuneli i Berlinit
Para vënies në shërbim të avionëve spiunë U-2, një nga sukseset më të mëdha të CIA-s konsiderohej Tuneli i Berlinit. Shërbimi inteligjent amerikan e ndërtoi këtë tunel në Berlinin lindor duke bërë të mundur të regjistronte kështu të gjitha bisedat telefonike midis shtetit të Gjermanisë lindore dhe ushtrisë së kuqe të Bashkimit Sovjetik. Për ndërtimin e tunelit u shfrytëzua një vend rreth afro 1 km, i bombarduar në rrethinat e Berlinit. Puna për ndërtimin e këtij tuneli mori 4 muaj. U punua në mënyrë të maskuar ndihmuar nga fakti që aty pranë po ngrihej një bazë ajrore amerikane. Puna për ndërtimin e bazës ishte një maskim shumë i mirë për punimet që bëheshin për gërmimin e tunelit. Kompania amerikane e telefonave “Bell” solli aty ekspertët e saj për të instaluar telefonat e CIA-s kështu që telefonatat prej Berlinit komunist, duke përfshirë edhe ato me Moskën, Varshavën, Pragën, Budapestin, Bukureshtin dhe Sofjen, kalonin nëpërmjet sistemit të përgjimit të shërbimit inteligjent amerikan. Në tunel brenda kishte ajër të kondicionuar si edhe sistem ngrohës. Kishte zyra, fjetore dhe ambiente argëtimi. Personeli i shërbimit ishte 24 orë në punë dhe specialistë në të gjitha gjuhët e Evropës lindore. Ata përgjonin bisedat që bëheshin në shtabin e ushtrisë së kuqe në Pankou, ambasadën sovjetike në Berlinin lindor, gjithë ministritë e Gjermanisë lindore si edhe linjat private të shefave të mëdhenj sovjetikë dhe atyre të Gjermanisë lindore. Bisedat telefonike vinin për analiza nga specialistët e CIA-s në Washington. Asnjë bisedë nuk nënvleftësohej.
Tregohej kujdes që sovjetikët dhe Gjermania lindore të mos binte në erë të kësaj pune. Operatorët gjermanë të shërbimit telefonik nuk duhej të diktonin rënie të fuqisë së linjës gjë që mund të ngjallte dyshime. Sidoqoftë puna nuk ishte pa rreziqe. Në dimrin e 1955 kur stuhia e dëborës kishte mbuluar Berlinin, diku mbi tunel nga nxehtësia e brendshme e sistemit ngrohës, dëbora kishte shkrirë duke krijuar kontrast me trashësinë e dëborës përreth. U dha alarmi dhe sistemi ngrohës në zyrat e tunelit u mbyll menjëherë. Qe fat i madh që dëbora mbuloi përsëri dhe ajo pjesë e zhveshur u zhduk. Natyrisht, punonjësit e CIA-s brenda në tunel u desh të punonin me pallto derisa koha u ngroh përsëri dhe dëbora jashtë qe shkrirë.
Një incident tjetër i cili ngjalli frikën e zbulimit nga rusët ndodhi nga pakujdesia e përgjuesve të bisedave telefonike. Ishte fjala për një bisedë private midis një komandanti të ushtrisë së kuqe dhe gruas së tij. Gruaja qe shtatzanë dhe priste të lindte. Një nga gjeneralët amerikanë, që kishte dëgjuar bisedën e tyre telefonike, qëlloi të ndodhej në një ceremoni të përbashkët të organizuar në Berlin ku qe ftuar edhe komandanti sovjetik. Në pritje u servirën pije alkoolike. Një moment gjenerali amerikan u ndodh përballë komandantit sovjetik dhe tha: “Dëgjova që së shpejti do bëheni baba. Urime. Shpresoj që djali juaj do bëhet po aq i zoti sa edhe i ati.”
Përkthyesi i gjeneralit, që rrinte pranë tij, u mat të bënte përkthimin por në moment gjenerali kuptoi gafën që kishte bërë dhe me një lëvizje të menjëhershme, si padashur pengoi përkthyesin i cili u rrëzua përtokë. Duke u përkulur mbi të për ta ndihmuar të ngrihej gjenerali i pëshpëriti: Mos e përkthe atë frazë! Thuaj diçka të përgjithshme për miqësinë midis dy popujve tanë. Incidenti u raportua urgjentisht në shtabin e CIA-s dhe u ndenj me zemër të ngrirë derisa të verifikohej nëse komandanti rus dinte anglisht. U mësua që ai madje nuk dinte as gjermanisht.
Tuneli i Berlinit funksionoi normalisht pa u zbuluar për 9 muaj derisa më në fund u dekonspirua nga dubël agjenti anglez Xhorxh Blejk. Policia e Gjermanisë lindore dhe agjentët sovjetikë në Prill 1956 shpërthyen në tunel por gjetën aty vetëm filxhanët e kafes mbi tavolinë.
Albana M Lifschin (Nga ‘Udhëtim në Historinë Amerikane”, bot. 2003, ribot. 2006 dhe 2010)
i interesuar
geraldo
12 Gusht, 2012 at 12:50