Alpinisti shqiptar: Kur po ngjiteshim në Everest pamë shumë trupa të ngrirë në borë

Filed under: Flash,Speciale |

Intervistoi Anduela Gojka

 

Mali Everest njihet jo vetëm si mali me lartësinë më të madhe në botë, ai ka edhe vështirësi tepër të mëdha për t’u ngjitur si nga ana financiare edhe ajo e rrezikut të humbjes së jetës, ndaj janë të paktë alpinistët që e ngjisin këtë mal. Por grupi ynë i alpinistëve i cili përbëhej prej 6 anëtarësh, Matheo Begeja; Erlin Rudho; Gerti Pishtari; Fation Plaku; Gjergj Bojaxhi; Xhimi Begeja,vendosën ta pushtojnë atë me rastin e 100 -vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Megjithatë rasti i skuadrës sonë cilësohet si një raste i veçantë sepse i gjithë grupi arrin 100% në majën e Everestit. Një nga aplinistët e kësaj ekspedite alpinisti Erli Rudho, në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” tregon emocionet dhe vështirësitë drejt ngjitjes së Everestit. Gjatë intervistës Rudho jep edhe një detaj të veçantë kur thotë se gjatë rrugës drejt majës së Everestit panë edhe kufoma të ngrira. “Gjatë rrugës që kryenim shpesh herë shikonim dhe trupa të vdekurish, ku mund të them se pamë rreth 10-12 trupa, në 300 metrat e sipërme të majës të cilët ishin të ngrirë. Të gjithë këto trupa dukeshin që nuk ishin raste aksidentesh në kuptimin e rënieve, ishin njerëz që u kishin mbaruar energjitë, që nuk lëviznin dot më dhe pastaj, në mënyrë graduale kanë ngrirë. Pamja e këtyre trupave, sidomos gjatë ecjes natën, ishte mjaft tronditëse dhe e frikshme nga njëra anë, por edhe të bënte të ishe më i kujdesshëm gjatë ecjes”, thotë Rudho.

 

 

 

E kujt ishte ideja për të arritur majën më të lartë të botës dhe nga kush ju erdhi ftesa për të qenë pjesë e kësaj ekspedite? Si nisi i gjithë ky projekt?

Ideja për të ngjitur majën më të lartë të botës u mendua që të bëhej me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ky mendim erdhi mbas takimit që kryem me z. Berisha pasi u kthyem nga ngjitja në malin Klimanxharo në Tanzani, si maja më e lartë e Afrikës. Gjatë takimit me Z. Kryeministër, ai na ofroi mbështetjen e tij për ngjitjen e malit Everest, i cili është maja më e lartë e botës, 8848 metër.

Pse vendosët ta ndërmerrnit këtë aventurë kur mund te vihej në rrezik dhe jeta juaj, sa të siguruar ishit ju gjatë udhëtimit?

Zakonisht më pëlqejnë sfidat e vështira dhe aq më tepër kur ato mbartin brenda tyre shumë adrenalinë. Një prej tyre është dhe alpinizmi, një sport që mbart brenda vetes kënaqësinë e të njohurit shumë vende dhe sfidat ndaj lartësive. Kjo më shtyu që të marr një iniciativë e cila ka brenda dhe rreziqe gjatë rrugës. Megjithatë këto rreziqe nuk e bëjnë të pamundur realizimin e ngjitjes, duke qenë se njerëzimi e ka bërë atë. Atëherë pse mos ta bëja dhe unë? Gjatë ngjitjes ne ishim të siguruar me një litarë orientues e fiksues dhe sidomos përgjatë majës nëpër zona të ngushta e rrëpira, por vështirësia më e madhe ishte ngopja me oksigjen dhe ecja e vështirë që krijohej në atë lartësi.

Duke qenë se ju jeni diplomuar për pikturë, ç’lidhje ka piktura me këtë sport të rrezikshëm?

Alpinizmi është më shumë një pasion që kam krijuar dhe kultivuar brenda vetes i cili më tërheqë, duke qenë se mbart brenda tij eksplorimin e shumë vendeve dhe adrenalinën. Falë këtij pasioni të madh, unë sot jam shumë i lumtur që pata fatin të jem pjesë e grupit shqiptarë që ngjiti majën më të lartë të botës, një eksperiencë unike do thoja unë. Falë natyrës së tij eksploruese dhe ekspozuese alpinizmi më afron me botën e pikturës. Shikon ambiente, panorama e kultura të cilat nuk të jepet mundësia ti studiosh e shikosh po të mos lëvizësh dhe eksplorosh.

Cilët ishin udhëtuesit të cilët ju bashkuan kësaj aventure që ndërmorët? Ju ishit më i vogli në moshë në këtë ekspeditë?

Bashkë me ekipin tonë prej gjashtë shqiptarësh, ishin dhe udhërrëfyesit (sherpat) vendas nepalez të cilët na shoqëronin deri në majë duke qenë se Everesti është cilësuar dhe si një mal vrasës, prandaj edhe alpinistët duhet të tregohen seriozë dhe të përgatiten mirë për të realizuar ngjitjen. Ata patën një rol kyç në ngjitje tonë. Por duke qenë se Everesti është një ndër malet më të vështirë udhërrëfyesit nuk mund të garantojnë çdo gjë. Pjesëtari i grupit tonë më i vogël në moshë, ishte Matheo Begeja, 18 vjeç.

Duke qenë se terreni për ngjitjen në Everest konsiderohet i vështirë, dhe një pjesë e alpinistëve që e ndërmarrin këtë ekspeditë nuk e përfundojnë atë, ku ka dhe raste të tilla kur alpinistët humbin jetën gjatë ngjitjes së tij. Për ju cilat ishin vështirësitë që hasët?

Procesi i ngjitjes ishte shumë i vështirë. Gjatë ngjitjes ne hasëm vështirësi terreni, ngushticash dhe shtigjesh, por kur ke një objektiv akoma për të arritur nuk i shikonim këto zona të rrëpira e vetëm duhet të ecësh përpara, vetëm mbas arritjes së majës dhe kthimit, e vije re se në çfarë zone kishe kaluar. Gjithashtu të ftohtit në gishtat e duarve dhe këmbëve për një farë kohe ishte i pashmangshëm, por krijoje ngrohje alternative me kalimin e kohës dhe gjatë pushimeve. Gjatë rrugës që kryenim shpesh herë shikonim dhe trupa të vdekurish, ku mund të them se pamë rreth 10-12 trupa, në 300 metrat e sipërme të majës të cilët ishin të ngrirë. Të gjithë këto trupa dukeshin që nuk ishin raste aksidentesh në kuptimin e rënieve, ishin njerëz që u kishin mbaruar energjitë, që nuk lëviznin dot më dhe pastaj, në mënyrë graduale kanë ngrirë. Pamja e këtyre trupave, sidomos gjatë ecjes natën, ishte mjaft tronditëse dhe e frikshme nga njëra anë, por edhe të bënte të ishe më i kujdesshëm gjatë ecjes.

Pati gjatë rrugës ndonjë moment që menduat të ktheheshit mbrapa?

Momenti më i vështirë ka qenë periudha e aklimatizimit, ose e stërvitjes që ne bëmë atje në majë. Sepse aklimatizimi është përshtatje e trupit me atë lloj klime dhe atmosfere. Katër javët e para kanë qenë periudha më e vështirë gjatë gjithë ekspeditës.

Pati goxha pjesë të vështira në ecje e me ngopje në frymë ku edhe mund të mendoja për ndonjë dështim, por forca e vullnetit dhe dëshira që tek ai mal të jetë edhe emri jot ishte dhe me e madhe, sigurisht jo deri në humbjen e jetës por deri në kufijtë më të thellë të limiteve të mia.

Gjatë kësaj ekspedite të veçantë për ty, cili ishte momenti më i bukur që ju ka ngelur në mendje? Më thoni disa nga mbresat që ju la?

Momenti më i bukur sigurisht që kane qenë arritja e parë e majës dhe lehtësimi i gjithë asaj barre psikologjike që mund te kishe. Shkelja e këmbës në skajin më të lartë të rruzullit tokësor dhe e gdhendjes së emrit tënd në ajër. “Ishte realizimi i synimit, ishte shpërblimi i një kohe të gjatë stërvitjesh. Ndodhesha pikërisht aty, ku koka prekte qiellin…

Sa zgjati ky udhëtim dhe sa ishte data kur arritët në majë? Mendimi i parë që iu erdhi në mendje kur arritët në lartësinë më të madhe të botës?

Udhëtimi zgjati 2 muaj, dhe data e arritjes në majë ishte me 25 maj 2012. Një datë e cila do mbetet në historinë e vendit tonë.

Mendimi i parë ishte pushimi i merituar mbas gjithë asaj rruge të gjatë dhe falë zotit arritja me sukses e pushtimit të kësaj maje perëndish ku mes emocionit dhe lodhjes valëvitja e flamurit shqiptar nuk më dukej ndonjëherë më me ngjyra më të ndezura se ajo ditë.

Si ishte pamja në majë më të lartë të botës? Mund të ma përshkruash atë?  

Duke pasur parasysh faktin që nga rralli¬mi i oksigjenit ne ishim të detyruar të përdornim maskat e oksigjenit, të krijohej ndjesia e të qënurit në një botë tjetër,si dhe e të ndjerit të vetes si një gjysmë-marsian. Çdo gjë dukej gati gjysmë reale, gati e pabesueshme, çdo gjë që të zë syri e ke nën vete, i rrethuar me maja më të ulëta me dëborë,dhe nga një bardhësi e ftohtë duke u krijuar një pamje gati sureale. Gjithçka e ke para syve dhe nuk arrin t’iu besosh syve, është apo s’është e vërtetë e gjithë kjo…Deri përtej horizontit shikon retë që qëndrojnë gjithmonë poshtë atyre majave të bardha përtej perëndimit. Të duket sikur po përjeton një ëndërr e cila kalon shumë shpejt.

Si ia bënit për të ngrënë, për të fjetur, po për të komunikuar me njerëzit e afërm?

Fjetja sigurisht nëpër tenda në disa kampe të improvizuara në lartësi të ndryshme. Ushqimi gjithashtu ishte organizuar me tenda gatimi me gaz dhe këto po ashtu të improvizuara gati në çdo kamp. Përsa i përket komunikimit, kontakt me të afërmit dhe lajmet që mund të dërgonim për ekspeditën, kryheshin vetëm në kampin bazë në 5000m (ku edhe kjo lartësi na bënte çudi që mund të kishte valë), me anë të valëve kineze të komunikimit telefonik dhe internetit. Komunikimi mund të kryhej vetëm në kohën që mund të qëndronim në kamp baze (pa u prishur moti), e gjithashtu komunikimi me internet me anë të e-maileve si pasojë se rrjeti social “Facebook” ishte i bllokuar nga shteti kinez e veçanërisht në zonën e Tibetit.

A patët një pritje të denjë nga organet kompetente të vendit tonë, duke qenë se ishit të parët që e vendosët flamurin shqiptarë përkrah gjithë vendeve të botës në majën më të lartë?

Në kohën e kthimit në Aeroportin e Rinasit pati një pritje me ceremoni festive nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë e Sporteve dhe sponsorave, ku dy kryesorët ishin “Vodafone” dhe “Raiffaisen”. Pritja gjithmonë mund të kishte dhe me shumë, por edhe më pak. Një pritje e organizuar me mund e dëshirë dhe kjo ka më shumë rëndësi për ne.

Nëse do të jepej një mundësi e dytë për një aventurë të ngjashme si kjo, do e ndërmerrje përsëri?

Dëshira për të synuar majat më të larta të kontinenteve është e madhe…duke qenë se kam qenë pjesëmarrës në ngjitjen e disa prej tyre, dua ta plotësoj këtë kornizë. Dhe pse me një lodhje shumë të madhe diçka të ngjashme me këtë eksperiencë do kisha dëshirë ta përjetoja përsëri, por gjithmonë mbas realizmit të parë për pushtimin e shtate majave. Por ndoshta do i jepja mundësinë edhe atyre si unë që kanë dëshirën por jo mundësitë, për ta provuar dhe ata një herë emocionet e forta dhe mbresat që të lë ky sport.

Cili ishte momenti që të ngeli në mendje nga gjithë kjo eksperiencë?

Të gjithë eksperiencën do ta cilësoja të veçantë dhe me momente emocionuese…një prej tyre ishte dhe dita e pushtimit të majës dhe udhëtimit gjatë natës. Emocionet ishin të pashpjegueshme kur ndodheshe atje lartë, ajo që prej kohësh më dukej e pamundur, tani më ishte bërë e mundur, dhe unë ndodhesha atje ku shumë njerëz e kanë ëndërruar dhe nuk e kanë përfunduar me sukses sfidën ndaj Everestit. Një gjendje të rënduar emocionale të krijonin dhe kufomat e ngrira që Everesti kishte rrëzuar pranë vetes duke i bërë bijë të tij përgjithmonë…

Duke qenë se ju jeni piktor, e keni shkrirë gjithë këtë eksperiencë në ndonjë pikturë?

Për momentin gjithë atë aventurë e kam “mpiksur” në aparatin fotografik dhe në kamera, ku me shumë mundësi më vonë mund te kthehet në ndonjë pikturë origjinale.

Çfarë të mungoi më shumë gjatë udhëtimit, dhe cila ishte gjeja e parë që bëre kur u ktheve?

Sigurisht ajo që më mungoj më shumë gjatë udhëtimit ka qenë kontakti dhe komunikimi me miqtë dhe të afërmit. Ajo jeta urbane që mund të bëje përpara, dhe në atë moment mund të shikoje vetëm borën e bardhë ose tendën ku qëndronim. Shikonim boshllëkun dhe na bëheshin sytë poça… Duke ëndërruar me sy hapur për diçka që pritej të ndodhte ose të vinin në formë vegimesh ato çka kishe kaluar. Një mungesë të madhe ndjeje për qytetin, vendin, rrugicat kur kishe para sysh vetëm atë bardhësinë vrasëse. Duke kuptuar në këtë mënyrë vlerën e tyre dhe sapo u ktheva gjëja e parë që bëra ishte thjesht çmallja me miqtë dhe të afërmit. Dhe të nesërmen…sigurisht ishte ajo kafja e mëngjesit që kishte 2 muaj që na mungonte.

Cili është destinacioni i radhës?

Destinacioni i radhës është akoma për tu vendosur se cilën nga majat do tentohet të pushtohet, por me shumë mundësi radha do i takoj malit Akonkangua si maja më e lartë e Amerikës Latine.