Rama: Do bashkohem me Topin për të mundur Berishën

Filed under: Flash,Politikë |

Lideri i opozitës shprehet se do të krijoj një tren të gjatë partish për zgjedhjet e vitit të ardhëm për të mposhtur kryeministrin Sali Berisha. Në një intervistë televizive me gazetarin Alfred Peza në emisionin “Debat”, Edi Rama thotë se mirëpret çdo faktorë opozitar që kërkon largimin e kësaj qeverie. Ai thotë se është i hapur dhe për bashkëpunim me parti të djathta, siç i cilëson ai Frymën e re Demokratike dhe Aleancën Kuqezi.

 

Alfred Peza

 

Zoti Rama, kjo javë pati një zhvillim, një ngjarje politike e cila kurrë nuk mund të anashkalohet, siç ishte inaugurimi i Presidentit të ri të Republikës dhe ndryshimi, si dhe dorëzimi i stafetës nga zoti Topi. Si do ta përkufizonit me një fjali pikërisht këtë inaugurim?

Nëse më pyesni për ceremoninë ku isha i pranishëm do të thosha koncert në vitin 1936. Për të rinjtë që mbase nuk e kanë parë atë film mit të kohës së shkuar, një ceremoni e cila ishte triumf i mediokritetit dhe banalitetit.

Pse, çfarë ju bën ta mendoni këtë gjë?

Nga të gjitha anët.

Ju gjithsesi ishit në këtë ceremoni…

Sigurisht sepse u zgjodh një President i Republikës pa pëlqimin tonë, por u zgjodh në fund të fundit në rrugë Kushtetuese dhe ne i njohim institucionet jo vetëm kur kemi afrimitet me fytyrat e drejtuesve të tyre, por edhe kur drejtohen nga njerëz që nuk e kanë pëlqimin tonë. Pra, respektojmë institucionin dhe shprehje e këtij respekti për institucionin ishte dhe prania ime aty si përfaqësues i opozitës.

Megjithëse kishte shumë njerëz në radhë për t’i dhënë dorën Presidentit të ri dhe zonjës së parë, ju me durim nga fundi arritët në transmetim live, njerëzit e kanë parë besoj, që i shtrëngonit dorë dhe diçka i pëshpëritët. Çfarë i thatë në ato pak sekonda?

Asgjë të veçantë. Pata mundësi t’iu them diçka më shumë fëmijëve të Presidentit, që më bënë përshtypje me një ndrojtje shumë të sjellshme dhe sinqerisht do të uroja që kur të marrë vendimet që do i duhet të marrë Presidenti të merakoset më shumë për emrin që do u lërë atyre dy fëmijëve, vajzës dhe djalit, se sa për shijen që vendimet e tij do t’i lënë Saliut apo partisë nga ai doli.

Dikush erdhi, një tjetër iku. Po presidentit në ikje çfarë i thatë?

Në fakt, i çova një mesazh dhe i thashë një të vërtetë shumë të thjeshtë nga ceremonia. Ishte i vetmi moment kur duartrokita, natyrshëm më erdhi, teksa Bamir Topi po zbriste shkallët me zonjën dhe i urova sukses për jetën e dytë politike.

Jeni i sigurt se ai tashmë do ta ketë një jetë të dytë politike?

Ashtu e ka bërë me dije.

Meqë jemi këtu dhe meqë kaluan 5 vjet gjithsesi, duhet të keni një vlerësim për këtë mandat?

E kam, dhe besoj që nuk duartrokitka me sinqeritet për atë çfarë ka bërë, por për të gjitha atë çfarë nuk ka bërë duke refuzuar të përdoret për interesat e partisë që e zgjodhi President. Besoj se në kontekstin në të cilin jetojmë ky nuk është një kontribut i vogël, por përkundrazi, është një kontribut për t’u çmuar veçanërisht nga pozitat e opozitës.

Kë konsideroni provën e parë të madhe të zjarrit të Presidentit të ri? Shumë e lidhin me Prokurorin e Përgjithshëm në fakt.

Sigurisht që këtu jemi në një moment kur janë praktikisht të ravizuar të gjitha konturet e një partie në shtet dhe me zgjedhjen e njëanshme të Presidentit është hedhur hapi i madh drejt vënies nën kontroll të Prokurorisë së Përgjithshme, të Shërbimit Informativ dhe pa dyshim drejt përmbylljes së një procesi vënieje nën kontroll të gjykatave më të larta të vendit. Unë nuk pres asgjë, e përsëris. Për të mos thënë që pres zhvillime negative. Por, le t’ia lëmë kohës ta vërtetojë dhe do të isha i pari që do isha shumë i kënaqur që sot do të isha gabim.

Shtatori është koha e mundshme që të bëhen të gjitha dhe të mos pengohet marrja e statusit?

Absolutisht. Për sa i përket marrjes së statusit kjo është një çështje tjetër. Ne nuk e dimë kurrsesi që a do të mjaftojnë të gjithë këto për të marrë një reagim pozitiv nga Brukseli. Por, ne jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka është e mundur që ta marrim këtë reagim pozitiv.

Në këtë proces, në këto diskutime midis partisë suaj dhe Partisë Demokratike në parlament papritur ka dalë një protagonist politik, jo se është i panjohur, përkundrazi, Pandeli Majko. Ka një afrim të ri midis jush sepse po shikoj një Pandeli Majko si në kohët e tij më të mira këto ditë?

-Nuk ka asnjë afrim të ri sepse s’ka pasur asnjë largim të vjetër. Por, duke qenë se Pandeliu ka qenë protagonist në shkrimin e Kushtetutës për shkak të pozicionit të tij atëherë. Duke qenë se është anëtar i kahershëm i Komisionit të Ligjeve dhe duke qenë se ai vetë dëshiroi që të merrte përsipër mbrojtjen e kësaj çështjeje si relator gjendet në vijën e parë për të ekspozuar dhe argumentet tona për këtë proces të ndryshimeve Kushtetuese.

Duke qenë në këtë vijë të parë ai bëri një deklaratë duke thënë se basti i Edi Ramës është largimi i Sali Berishës nga politika. Është në fakt basti juaj?

-Në fakt ky është një titull i një gazete në Kosovë. Por, siç ndodh rëndom, titull e nxjerrë nga intervistat e njerëzve të politikës janë një kompromis midis asaj çfarë thuhet dhe asaj që botuesit bëjnë për të tërhequr më shumë lexuesit.

E vërteta ku është në raport me ju të paktën?

Unë nuk vë baste si parim. Në rastin konkret do të thosha që simbolikisht në rast se mund ta marrim bastin si metafor, ky është një bast i një gjenerate të re për të realizuar më në fund ndarjen nga politika e vjetër e cila mishërohet e tëra në qenien dhe mënyrën e qeverisjes së kryeministrit.

Dhe ju nuk do të largoheni nga politika e fituar këtë bast?

Tani, nuk kemi pse hymë në përbetime të tilla. Unë besoj që ne jemi shumë pranë fitores dhe në vitin 2013, në zgjedhjet e ardhshme do të realizojmë atë ç’ka nuk arritëm dot të realizojmë plotësisht në zgjedhjet e shkuara, ku megjithëse fituam votat nuk arritëm dot të zgjidhemi për shkak të gjithë atyre që ndodhën dhe jam i bindur se do të hapim me votën e qytetarëve një faqe të re në historinë e këtij vendi.

Ju thatë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor tashmë ua japin këtë mundësi. Mbas zgjedhjeve të 2013 me këto ndryshime në kod, ka më të thuhet se na i vodhën, na i grabitën, fitorja është në kuti?

Zgjedhjet nuk i fiton kodi, zgjedhjet nuk i vjedh kodi, zgjedhjet nuk i garanton deri në fund kodi. Kodi është një platformë rregullash të cilat duhet të respektohen nga palët dhe pa asnjë dyshim që barra kryesore për zbatimin e kodit, i takon qeverisë. Ne besojmë që me ndryshimet e bëra kemi rritur disa garanci në letër për një proces zgjedhor më të lirë, më të ndershëm dhe më transparent. Dhe jemi të bindur se pavarësisht që pala tjetër dhe Saliu do të bëjnë gjithçka janë përpjekur gjithmonë për të ndryshuar fatin e zgjedhjeve, në 2013 fatin e zgjedhjeve do ta vendosë vota e popullit shqiptar.

Nuk do të ketë më alibi?

Unë nuk besoj që në të shkuarën ka pasur alibi. Unë besoj që kemi mbrojtur një të vërtetë e cila tanimë është një e vërtetë e pranuar nga të gjithë, që në Shqipëri deri më sot nuk ka pasur zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe që rezultati i zgjedhjeve nuk i është përgjigjur domosdoshmërish vullnetit të qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

Përtej kodit, keni lexuar besoj mirë gabimet tuaja dhe kjo është pjesë e kësaj garancie që jepni këtë radhë?

Quajeni si të doni, por besoj se nga ana tjetër vlen sigurisht eksperienca e betejës e vitit 2009 dhe ashtu siç vlen edhe eksperienca e vitit 2011 në Tiranë për të përmirësuar të gjitha aspektet e makinerisë sonë organizative dhe për t’ia dalë që mbështetur mbi masat e reja që kemi marrë të frenojmë hordhinë e manipulatorëve dhe të nxjerrim nga kutitë rezultatin e vendosur nga populli me votë.

Po hymë në një sezon të ri politik, i cili është sezon elektoral në fakt. PS ka probleme brenda, do të hyje më e çarë, më e fraksionuar, si do të jetë?

Unë besoj që PS është e bashkuar. Nga PS nuk duhet pritur asnjëherë ajo që shihet në anën tjetër, një rresht të gjatë ku identiteti i vetëm është kryeministri i pari i rreshtit dhe nga ana tjetër besoj që procesi i të shkuarjes përpara drejt fitores së vitit 2013 është dhe një proces i konsolidimit të gjithë organizimit të PS në funksion të fitores.

Zoti Rama ju folët me shumë optimizëm për sezonin e ri, për PS-në, për komptaktësimin e etj,. Por, zoti Nano ka deklaruar se ka themeluar një lëvizje që do t’i japë frymë, që do t’i japë jetës në funksion të 2013. E shikoni si shqetësim?

Jemi një vend demokrat, ka hapësirë për të gjitha idetë për lëvizje të reja, por nuk ka vend për asnjë lëvizje të çfarëdolloj natyre tjetër përveç lëvizjes që tanimë ka filluar dhe që është organizuar si një lëvizje kompakte e forcës sonë politike brenda PS.

Po si do t’u përgjigjeni atyre zërave që bashkëpunoni me Milon, bashkëpunimi me Ngjelën, bashkëpunoni apo uluni në tryezë dhe me Berishën, por nuk bashkëpunoni dot me Nanon?

Bashkëpunimi me Milon, Ngjelën, Gjinushin, Petro Kocin, me Kurt Kolën dhe të gjithë të tjerët me radhë është bashkëpunim me aleat opozitarë të cilët përfaqësojnë segmente të opozitës politike sot në Shqipëri. Ndërkohë që në Partinë Socialiste as nuk ka vend dhe as nuk do të lihet vend për asnjëlloj lëvizje me çfarëdolloj justifikimi që cenon milimetrikisht kohezionin dhe rrugën tonë të përbashkët e cila është një rrugë e qartë kur të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre, po kur askush s’mund të lejohet dhe s’do të lejohet që të pengojë shkuarjen përpara të të gjithë forcës politike kompakte drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme në bashkëpunim me të gjitha partitë dhe të gjitha lëvizjet që janë krijuar dhe që mund të krijohen, dhe që janë të mirëpritura në një koalicion të madh opozitar.

Pra, mirëprisni edhe Nanon?

Çdolloj investimi në frontin opozitar që synon të japë kontribut në funksion të rrëzimit të këtij regjimi që nuk mund dot të tolerohet dhe të një fitoreje të opozitës, pa dyshim që ka vendin e vet dhe nuk jemi ne që e përcakton se sa vend ka, por është vota e popullit shqiptar. Ndërkohë që e përsëris, asnjë lëvizje përçarëse brenda PS-së nuk do të gjejë as kohë dhe as vend në PS.

Dakord, por si do t’ju thoni atyre që akoma kanë jo vetëm nostalgji për ish kryetarin, por ndoshta dhe një lloj simpatie, që pse s’e mbështet për President, pse s’i dhatë votat dhe a ka pasur ndonjë marrëveshje paraprake me ju që s’u morët vesh?

Ky është një kapitull i mbyllur. Sqarimet janë dhënë të plota dhe unë besoj që sot PS s’ka as kohë dhe as arsye t’u referohet nostalgjive, por duhet të shfrytëzojë çdo sekondë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme duke parë nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara.

Por sigurisht një përgjigje presin nga ju mbështetësit, simpatizantët apo të lëkundurit, në lidhje me darkën e Gjirit të Lalëzit. A jeni penduar zoti Rama për këtë darkë që jo vetëm që nuk prodhoi president konsensual, jo vetëm që nuk çoi në rrëzimin e qeverisë, por çoi me sa duket në rifreskimin e marrëveshjes midis PD–LSI me futjen e 3 ministrave të rinj në qeveri dhe zgjedhjen e Bujar Nishanit, një drejtues të lartë të PD-së si President.

Unë as nuk jam penduar dhe as nuk kam arsye të pendohem për asgjë që kam bërë dhe bëj në shërbim të aspiratave të mia dhe të aspiratave të forcës politike që unë kam nderin e madh të udhëheq, që përputhen me aspiratën e madhe të vendit. Përpjekja ime ishte një përpjekje e bërë me zemër dhe mendje të kthjellët për të ndërtuar një proces dialogu me të gjithë kundërshtarët. Për sa i përket kryetarit të LSI-së, historia e përbashkët me dritë dhe me hije e bënte të mundur edhe një takim informal jo në një mjedis publik. E shfrytëzova këtë mundësi për t’i dhënë gjithçka mundesha dhe mundeshim procesit që synonim të ndërtonim dhe që shpresonim të realizohej për të mirën e vendit dhe jo për interes të Partisë Socialiste. PS s’kishte asnjë kandidat të vetin për t’iu imponuar askujt, por ishte vënë në dispozicion të procesit. Dihet botërisht dhe jemi shumë krenar për gjithë sa përpjekje bëmë dhe nuk kemi asnjë arsye që të ndihemi në vështirësi as për rezultatin sepse ne nuk i kishim numrat për të zgjedhur Presidentin. Por t’i kishim numrat do të kishim ndërtuar me patjetër konsensusin me palën tjetër dhe shpresojmë që shumë që të ketë ende shpresë për të marrë një përgjigje pozitive në tetor nga Komisioni Europian.

Kush është gjykimi juaj sot për Ilir Metën dhe a do të vazhdoni të joshni LSI-në për një koalicion parazgjedhor për 2013?

Gjykimi im për të në raport me procesin është se e nisi mirë, e mbaroi si mos më keq. Aq mundi, aq deshi apo çfarë, kjo është një çështje që nuk më takon fare mua të humbas kohë për ta analizuar. Por, për sa i përket LSI-së qëndrimi ynë është i qartë dhe transparent prej kohësh. LSI është pjesë e koalicionit qeverisës dhe për sa kohë do të jetë nën koalicionin qeverisës do të jemi përballë dhe do ta mundim bashkë me koalicionin qeverisës përmes një koalicioni që do ta ndërtojmë me të gjithë forcat dhe që individët që janë në opozitë dhe që kërkojnë një ndryshim rrënjësor duke filluar nga rrëzimi me votë popullore i këtij koalicioni të kthyer në regjim.

Nëse LSI-ja në 2013 do të zgjedhë të jetë me PD-në në koalicion zgjedhor. Pas zgjedhjeve nëse matematika do të kërkojë…

Nuk do të kemi nevojë për asgjë të kësaj natyre. Zgjedhjet do t’i fitojmë me koalicionin që do të ndërtojmë me qendër graviteti Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Kur pashë në tryezën e dytë të ulur Sali Berishën me Ilir Metën, Shpëtim Idrizin dhe Edi Ramën, pra 3 të majtë për të negociuar një President konsensual 3 me 1 dhe nuk u arrit. Fillova të mendoja se si është e mundur që PS e ka në program çështjen çame, por kur s’ka arritur ta fusë dot Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet në fokusin e interesave të veta politike. Nga ana tjetër më prishej deri diku filmi kur kam parasysh që kurrë nuk e keni sulmuar Shpëtim Idrizin.

Është e vërtetë që PS me kurajë dhe ndershmëri e ka përfshirë çështjen çame në programin e saj. Por për pyetjen që bëni besoj se duhet të pyesni Shpëtim Idrizin a e ka çështjen çame në program. Pyetini dhe kërkojini që t’ju thotë se çfarë ka bërë përderisa është pjesë e qeverisë për atë çfarë ka shpallur në program.

Janë të mbyllura përfundimisht dyert për të?

Unë besoj që në raport me këtë çështje dhe në raport me të gjithë këtë komunitet i cili prej kohësh kërkon një adresim të kësaj çështjeje PS është kryelartë si një forcë e madhe shqiptare që sigurisht ka nga njëra anë kurajën që të mos fshihet prapa gishtit për diçka që është aty dhe nga ana tjetër guximin që të thotë: “Po, kjo është një çështje që duhet adresuar”. Mekanizmat e adresimit të saj duhen gjetur dhe nuk mund të jetë as një çështje që mbyllim të gjithë sytë dhe bëjmë sikur s’ekziston dhe as një çështje me të cilën të bëhet spekulim për interesa të ngushta politike dhe të hidhet një valle nacionaliste e cila sjell si rezultat vetëm përfitime për ata që hedhin valle, por nuk sjell asnjë rezultat për çështjen vetë.

Meqë po flasim për koalicionet dhe meqë folëm pak më përpara për zotin Majko. Zoti Majko është shprehur për një bashkëpunim të mundshëm midis PS dhe FRD të Bamir Topit dhe Aleancës KuqeZi të Kreshnik Spahiu. Ju në fakt i keni quajtur dy PD të reja. A do i ftoni dhe këto dy parti në koalicion?

Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të të majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi.

Ju thatë që treni opozitar këtë radhë do të jetë më i madh se 2009…

Është e vërtetë.

Ka surpriza?

Unë besoj që po. Por koha është indikatori më i mirë.

Që do të thotë se prisni të merrni edhe nga aleatët e qeverisë…

Në rast se më thoni sot që më thuaj konkretisht ku është surpriza. Nuk është se ka diçka të fshehtë. Por unë besoj që po, sepse besoj që dinamika e këtij viti do të jetë e tillë që do të kualizojë shumë energji në frontin për një ndryshim rrënjësor duke filluar nga vota për largimin e kësaj flame që nuk mund të quhet më qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Në 2013 mund të ndodhë rotacioni, mund të ndërrohen kuajt e karrocës, siç njihet në gjuhën e politologjisë, mund të shkoni ju tek karrigia e kryeministrit. Por shumë kush thotë që një gjë nuk do të ndryshojë ndoshta, paradhoma. Do të jenë po ata që janë sot në paradhomën e Berishës edhe në paradhomën tuaj…

Unë besoj që kam plot gojën për të thënë se e gjitha do të ndryshojë në mënyrë radikale. Sigurisht që ndryshimi nuk mund të ndodhë as brenda natës dhe as brenda katër viteve si një tonalitet ku gjithçka kthehet përmbys. Por ama për sa më takon personalisht si një kryeministër i Shqipërisë nuk kam as më të voglin dyshim kur u them shqiptarëve se qysh ditën e parë qasja e kryeministrit të vendit ndaj publikut ndaj sipërmarrjes, ndaj medias, ndaj institucioneve të drejtësisë, ndaj gjithë institucioneve të tjera kushtetuese do të jetë radikalisht e ndryshme. Kjo është një gjë që është në tagrin tim personal dhe si individ unë këtë mund ta premtoj pa as më të voglin gajle.

Zoti Rama folëm për problematikën e brendshme dhe të parlamentit, por edhe të gjithë sezonit politik. Ka një qasje tjetër, ka një element tjetër, ka një dimension tjetër që nuk e kemi prekur, ai të raportit të PS dhe tuajin me ndërkombëtarët. Më 21 janar dhe deri më 28 janar gjithkush thoshte se Edi Rama është një njeri që nuk i dëgjon ndërkombëtarët. Madje filluat dhe të merrnit kritika për këtë. Pas kësaj duket sikur gjërat kanë ndryshuar, ju po i dëgjoni të gjithë, natyrisht edhe zotin Arvizu…

Besoj se nuk është e vërtetë që thuhej përpara se unë isha i padëgjueshëm për gjithçka thuaj dhe nuk është e vërtetë që thuhet tani që dëgjoj gjithçka që më thuhet. Sigurisht i kam dëgjuar dhe i dëgjoj me shumë respekt miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Padyshim miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë nuk është aspak sekret, dihet botërisht që ambasadori i SHBA-ve është ai që ka dhe kreun e vendit sepse ky është edhe pozicioni i Shqipërisë në raport me SHBA-të që në Shqipëri kanë kreun e vendit dhe me plot të drejtë.

Si janë në fakt marrëdhëniet tuaja me zotin Arvizu?

Besoj që janë marrëdhënie shumë të mira dhe besoj që janë marrëdhënie të një luajaliteti reciprok.

Ka një realitet të ndryshëm nga ai që jemi mësuar deri para pak vitesh me ndërkombëtarët, me ambasadorët, trojka në përgjithësi e ambasadorëve, jo vetëm Arvizu, edhe ai i BE-së dhe OSBE-së, duken hiperaktiv në opinionin publik, në praninë e tyre në media janë pothuajse përditë të pranishëm në lajme, në edicione, në gazeta. Si e gjykoni këtë pjesë?

E di çfarë përgjigje kam për këtë, se Shqipëria është më keq se ç’ishte. Pasi në Shqipëria do të ishte më mirë s’do të kishte nevojë për këtë hiperaktivitet dhe për këtë prezencë. I kam dëgjuar dhe këndvështrimet kritike ndaj kësaj prezence, por besoj që në vend se ta kërkojmë arsyen e kësaj prezence, sigurisht shumë konstante të ambasadorëve në jetën politike dhe publike tek ata duhet ta gjejnë tek ky fakt: Shqipëria është më keq se ç’ishte. Për këtë arsye, kjo prezencë iu bëhet atyre e nevojshme.

One Response to Rama: Do bashkohem me Topin për të mundur Berishën

  1. Po ky nuk eshte lajm o Z.Rama. Me Topin je bashkuar qe para 21 Janarit 2011.
    Ai (Topi) e ka deshmuar mese nje here qe eshte pjese e vagonit te PS-se.
    Cudi me vjen me juve qe si afroheni me nje te pabese si Bamir Topi?

    Arber
    2 August, 2012 at 16:12