Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka deklaruar se klima e biznesit në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm dhe se tashmë është koha e duhur për një prezencë më të madhe të investitorëve amerikan në Shqipëri.
Gjatë një takimit me ministrin e Ekonomisë Edmond Haxhinasto u ra dakord për më shumë investimet amerikane në Shqipëri. Nga ana e tij, ministri i ekonomisë Haxhinasto tha se qeveria shqiptare mirëpret investitorët amerikanë në sektorët prioritarë si energjetika, hidrokarburet dhe industria minerale. Në këtë kontekst, Haxhinasto dhe Arvizu shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet pozitive të Projektit TAP dhe rëndësinë që ai ka për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit.
Investimet amerikane
“Tani është koha e duhur për një prezencë më të madhe të investitorëve amerikanë në Shqipëri”. Kështu është shprehur ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, gjatë takimit me Haxhinaston. Ambasadori amerikane theksoi se Shqipëria ka një klimë biznesi të përmirësuar ndjeshëm. Ministri Haxhinasto nga ana e tij e vlerësoi SHBA-në si një aleat strategjik dhe ekonomik për Shqipërinë. Ai renditi si prioritet të punës së tij thithjen e investimeve të huaja, paketën e re të iniciativave për të gjithë sektorët e ekonomisë, inkurajimin e prodhimit vendas dhe të eksporteve “Made in Albania”, kryerjen me sukses të procesit të privatizimeve strategjike, me objektivin final rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Haxhinasto dhe Arvizu shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet pozitive të Projektit TAP dhe rëndësinë që ai ka për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit.
Të mërkurën Kodi Zgjedhor në
presidencë, firmosen ndryshimet e fundit
Kodi Zgjedhor do jetë i pari ligj që do të dekretojë Bujar Nishani në cilësinë e presidentit. Ekspertët që hartuan ligjin e zgjedhjeve, i kanë bërë këtë të premte redaktimin e fundit. Pas firmosjes fletë më fletë nga Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi të njërit prej ligjeve me të debatuara në Shqipëri, Kuvendi pritet t’ia dorëzojë atë të hënën kreu të shtetit. Në fillim të javës që vjen, firma e parë e presidentit të ri, sipas të gjitha gjasave do të jetë pikërisht mbi Kodin Elektoral, i cili u miratua në 19 korrik, pak ditë para se ai të merrte zyrtarisht detyrën. Pas dekretimit të kodit, detyra e radhës e Nishanit në lidhje me zgjedhjet do të jetë pikërisht caktimi i datës së tyre. Vendimmarrje, e cila pritet të bëhet në shtator. Kodi zgjedhor u miratua pak javë më parë me 127 vota pro, 2 kundër dhe 3 abstenim.
PD: Rama të ngrihet mbi interesin e
miliarderëve e të votojë imunitetin
Partia Demokratike ka ftuar edhe njëherë Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama që në 6 gusht të votojnë për heqjen e imunitetit. “Rama të ndjekë shembullin e së majtës sllovake dhe të votojë më datën 6 gusht, me konsensus, projektligjin për heqjen e imunitetit në të cilin janë marrë parasysh dhe janë përfshirë të gjitha kërkesat dhe propozimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste”, u shpreh zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi. Sipas saj, shqiptarët nuk pranojnë kurrsesi që procesi i Integrimit Europian i Shqipërisë të mbahet peng nga një klub miliarderësh që për trafiqet e tyre kriminale, kontrabandën, tokat e pushtuara, pallatet pa leje, nuk pranojnë kurrë të heqin dorë nga muri mbrojtës i imunitetit.
Totozani letër Bashës: Mos sulmo romët
Avokati i Popullit i kërkon Bashkisë së Tiranës, nëpërmjet një letre, që Policia Bashkiake të ndërpresë menjëherë veprimet arbitrare ndaj anëtarëve të komunitetit rom, lidhur me shfrytëzimin e mbeturinave të riciklueshme. Në letër radhiten edhe rekomandimet ndaj këtij institucioni. “Të ndërpritet menjëherë ky proces i Policisë Bashkiake, derisa sa sqarohet situata për çfarë bëhet fjalë dhe plani konkret që ka Bashkia e Tiranës dhe Policia Bashkiake. Kemi kërkuar që i gjithë trajtimi i çështjes së vetëpunësimit të qytetarëve romë, sepse mendojmë se nuk jep zgjidhje vetëm ndërhyrja në këtë moment. Kemi kërkuar që Bashkia e Tiranës të negociojë drejtpërsëdrejti me palën e interesuar që është komuniteti rom. Të vendoset transparenca në këtë aktivitet të Policisë Bashkiake”, tha Totozani.
Komentet Më të Fundit