ALI PODRIMJA POET E PATRIOT

Kategoria: Opinion |

Nga Gjekë Gjolekaj/New York
 
Lajmi për humbjen e Ali Podrimës në Francë e mora nga Zenun Çelaj dhe më shqetësoi shumë,por duke e ditur  natyrën e tij të paparashikueshme,isha pak optimist se ndoshta mund të jetë gjallë.  Për miqtë dhe Familjen e tij ato ditë ishin tepër tronditëse.  Kjo humbje ringjalli kujtesën humbjen katastrofike të mijëra shqiptarëve nga Kosova dhe Shqipëria. S’ka dyshim se ato humbje tragjike i kishte përjetuar rëndë edhe Ali Podrimja. Ditët dhe netët e humbjes së Aliut ishin një ankth i vërtetë. Vetëm ata që  kanë përjetuar situata të tilla dinë të përshkruajnë një trishtim si ky. Lajmin për vdekjen Ali Podrimës e dëgjova  prej zonjës së tij shumë të nderuar dhe fisnike Fitore Podrimja. Ajo më tha: “Aliun e kanë gjet të vdekur” dhe për një çast i humbi zëri si pasojë e dhembjes dhe lotëve.  Kjo zonjë e shkëlqyeshme shqiptare ishte në dijeni të plotë se ne kishim qenë miq të dashur. Pas një bisede jo të gjatë ramë dakord, që vdekja e tij ishte e dhimbshme por e lavdishme. Ky zog shtegtar i tokës arbërore kishte fluturuar atje në dheun e artit poetik për të kënduar këngët e dhembjes kombëtare. Pavarësisht moshës dhe shëndetit në rënie e sipër si trim që ishte kërkonte të aktronte në teatrin poetik të Mesdheut, atje në vapën mesdhetare të Galisë. Aliu ynë ishte poet dhe aktor. Asnjë poet shqiptar, ose edhe i huaj nuk mund t’i recitonte aq bukur vargjet e veta. Kam dëgjuar, bile edhe recitimet e Gjergj Fishtës e shumë poetëve të tjerë por ata nuk kishin fuqinë e aktrim të Ali Podrimës. Për këtë poet të madh kisha dëgjuar para 50 vjetësh, në gjimnazin e Gjakovës, ku kishte qenë gjimnazist. Djemtë si Ali Podrimja ishin lajmëtarë të lirisë. Bile Gjakova e tij ishte shndërruar në një vatër manifestimesh poetike. Ata ishin njerëzit më të adhuruar në shoqërinë shqiptare. Poezia është një gjini letrare hyjnore. Pak njerëz e kanë këtë dhunti,por ata që e kanë janë të nderuar. Nuk e di pse por për poetët kisha më shumë dashuri se për artistët e tjerë. Kjo dashuri më çoi në miqësi me Martin Camaj dhe Bardhyl Pogonin të cilët kaluan në amshim shumë vjet më parë,Martini në dheun e Gjermanisë,ndërsa Bardhyli në tokën e Amerikës. Pas shuarjes së tyre fizike kërkova një poet tjetër shqiptar dhe më në fund e gjeta. Ai ishte Ali Podrimja. Për shqiptarët e Amerikës ishte emër i nderuar. Çdo revistë dhe gazetë shqiptaro-amerikane i botonte shkrimet dhe poezitë e tij. Shkroi dhe bashkëpunoi rregullisht me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” të New York-ut. Ali Podrimja dhe Ismail Kadare janë lexuar më shumë në këtë gazetë se shkrimtarët ose poetët e tjerë. Esetë e Ali Podrimës janë të veçanta. Duke i lexuar ato fitova respektin për këtë poet patriot. Proza e tij për mua ishte më e lehtë sepse poezia ishte moderne dhe në shumicën e rasteve nuk kisha fuqi intelektuale për t’a shijuar. Pas mbarimit të Luftës në Kosovë, Robert Elsie më shkroi një letër dhe më propozoi botimin shqip-anglisht të veprës poetike të Ali Podrimës “WHO WILL SLAY THE WOLF”(kush do ta vrasë ujkun) siç e kisha botuar edhe “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Pranova ofertën e tij dhe ramë dakord për botim. Ky vëllim poetik që është ndoshta botimi më elegant i Ali Podrimës,doli nga shtypi në pranverë të vitit 2000 dhe në qershor të atij viti shkova në Kosovë për herë të parë pas 25 vjetësh dhe ia solla Ali Podrimës këtë botim për të cilën u gëzua sikur t’i kishte lindur edhe një djalë. Më përqafoi disa herë dhe atë ditë u bëmë miq të përjetshëm. Nuk ishim takuar asnjëherë më parë. Kisha dëgjuar se është poet i madh. Në qytetin e tij të lindjes kisha mbaruar gjimnazin,prej të cilit u largova me përshtypje shumë të mira. Gjakovarët ishin qytetarë të vërtetë. Nuk ishin krahinorë dhe as fanatikë fetarë. Kështu që u ndjeva mirë me Ali Podrimën. Aliu ishte kryelartë për qytetin e tij të lindjes dhe asnjë herë në jetën e tij nuk më tha një fjalë të keqe për Gjakovën dhe as për qytetarët e saj. Bile as për ata që kishin shërbyer në detyrat më të larta të Jugosllavisë. E bënte këtë nga fisnikëria e jo nga hipokrizia. Pavarësisht se jam qytetar i Amerikës kryesisht i New York-ut tash 42 vjet,ndjehesha inferior ndaj qytetarit gjakovar Ali Podrimja. Më është lutur disa herë të shkruaj për Gjakovën e tij të dashur. Vazhduam lidhjet me ndonjë ndërprerje të shkurtër. Prerjet e lidhjeve telefonike e shqetësonin shumë,kështu që menjëherë shkonte tek miqtë  e mi në Prishtinë dhe pyeste për mua. I lutej, sidomos Myrteza Kadës pronarit të Firmës “Kada Books” që t’i bëja telefon. Kështu i rivendosnim lidhjet dhe vazhdonim për vite të tëra pa ndërprerje. Gjatë bisedës pyetja e tij e parë ishte: ”Ç’ka kemi atje në Amerikë”? “Ç’ka thotë Amerika për Kosovën”? “Kosova pa Amerikën nuk ka shpëtim”. ”Amerikanët janë trima e fisnikë”  “Zoti e bekoftë Amerikën”!  Një herë ia tregova  thënien e famshme të Abraham Lincolnit: “Amerika është shpresa e fundit e njerëzimit” dhe Aliu e citonte këtë fjali kudo. Ishte intelektuali shqiptar  më proamerikan që kam parë ndonjëherë,pavarësisht se asnjëherë nuk kishte qenë në Amerikë. E ftova për vizitë, por jo sot jo nesër dhe shkoi në amshim pa e parë këtë vend.  Ndërsa për Evropën nuk fliste mirë. Përkundrazi gjithmonë ankohej për padrejtësitë evropiane ndaj shqiptarëve. Ali Podrimja gëzonte nga udhëtimet brenda e jashtë atdheut. Çdo pëllëmbë e tokës shqiptare për Aliun ishte e shenjtë. Në poezi, në shkrime dhe në jetën e përditshme ndjente dhembje të madhe për trojet tona të humbura. Asnjë poet ose intelektual shqiptar nuk ka bërë kaq udhëtime të vështira nëpër trojet e Arbërisë. Fjalori i tij poetik ishte i veçante për trojet etnike. Nuk kishte frikë lartësitë,ose ujërat e rrëmbyeshme dhe as motin e keq. Hidhej kokë poshtë prej urave dhe shkëmbinjve më të larta të bregdetit. Në ato fluturime merrte formën e një shqiponje. E shikonin të gjithë për mrekulli. Udhëtoi natë e ditë nëpër Evropë si George Byroni. Poeti ynë ishte kalorës i poezisë ashtu siç ishte edhe poeti i madh britanik Lord Byroni,dhe të dy gjetën vdekjen në rrethana tragjike. Kurdo kthehej në Kosovë nga qytetet evropiane më tregonte për trimëritë e tij në mitingjet e poezisë. Tregonte për vargjet poetike dhe kritikat  që u kishte bërë grekëve në Athinë, pastaj në Romë, në Paris dhe në Berlin. Unë pohonte Aliu: Jam “ambasadori më i mirë i  Kosovës” dhe qeshej. Por këto i bënte për shaka sepse nuk  kishte pretendime për asnjë detyrë jashtë Kosovës. Për Parisin dhe Ulqinin kishte shumë kujtime të gëzuara dhe të hidhura. Në qytetin bregdetar shqiptar kishte kaluar ditë dhe netët më të mira. Ndërsa Parisin e kujtonte për atë dhëmbje  të madhe të jetës. Atje kishte përjetuar dëshpërim të madh për djalin e tij jetëshkurtër Lumin e vogël, për të cilin shkroi një epope të tërë. Gjithmonë më kujtonte  atë vargun tragjik të rilindasit shqiptarë:  “Ditën që vdiqe ende nuk të kam parë, lotët që kam derdhur ende nuk  janë tharë”. Ndonjëherë kam biseduar me të në lidhje me këtë dhembje dhe shërimin e saj. Jo tregonte Aliu kjo plagë nuk shërohet kurrë dhe aty merrte fund biseda jonë  për Lumin. Për shumë lexues shqiptar që nuk e kanë lexuar poemën   “Lum Lumi” po citojmë vetëm disa vargje të kësaj:

FLETЁ E BARDHЁ:
Mbi tavolinë
Fletë e bardhë Aty do shkruar:
Lum Podrimja vdiq më 29 Shtator 1982.
 
Po unë nuk mund ta nënshkruaj vdekjen tënde
Të ndjej në qenie si lëviz si merr frymë
Të shoh në jetë gjithkund të prek
 
Vdekjen tënde nuk mund ta nënshkruaj vogëlush
 
Varrmihësit le ta qesin emrin
Ose bardhësia të më mbulojë
Edhe mua të tërin.
 
Ulpianë, tetor, 1982.

Javën e kaluar, 30 vjet më vonë  vdiq baba i Lumit dhe autori i “Lum Lumit”. Ky na kujton edhe poetin arbresh Zef Serembën. Kështu i kishte dhënë fund jetës edhe Leon Tolstoi. Ai nga të ftohtit e Siberisë, ndërsa Aliu  ndoshta nga vapa e Mesdheut. Poetët janë një gjini e veçantë njerëzore. Ata nderohen sidomos në vdekje. Në mortin e Viktor Hugo kishin marrë pjesë më shumë se dy milionë veta. Kam dëgjuar shumë edhe për ceremoninë mortore të Gjergj Fishtës dhe të disa poetëve të  tjerë shqiptarë. Nderime të tilla meriton edhe Ali Podrimja. Meriton sepse la pas një trashëgimi të madhe kulturore. Vargjet e tij poetike janë monumentale, janë të nobelueshme. O mik i  dashur prehu i qetë në amshim në dheun tënd të Kosovës që aq shumë e deshe.

2 Pergjigje tek ALI PODRIMJA POET E PATRIOT

  1. Keta qe shkruajne kunder Ali Podrimes ,
    jane me siguri klysh te Tradhtareve Thaci ,Syla apo Haliti,
    qe gjithe diten rrahen ne patriotizem e naten bashkepunojne me UDB-ne.

    Poshte tradhtaret analfabeta.

    Uka
    2 Gusht, 2012 at 18:20

  2. Vertete, patriot(!), por jugosllav dhe antishqiptar.

    Ali Podrimja

    TITOS

    Çdo maj â ma i bukur se ai që kalon,
    Kur me Ty ecim,
    Kur me Ty marshojmë, prej majit në maj.
    Edhe na, që nëpër stin’ e mote bajtëm vdekjen,
    Që rritëm gëzimin rreth votrave –
    … Në eshtat e luftarëve të vramë.
    Çdo maj vjen me kangë e hove, Tito,
    Kur me Ty këndojmë,
    Kur me ty marshojmë, prej majit në maj.
    Edhe na që qemë fundi i të gjitha të këqijave
    Dhe filli pranverave diellore.
    – Çdo maj i kemi syt ma të bukur se të diellit.
    TITOS SE DASHUN
    Në jetën time
    Bebzat Tua –
    O trimi im,
    I kam Diell
    E Bukë
    E Qiell
    Të zogjve të mij
    N’kangëtim.
    Në çdo fidane
    Sot
    Behari ka blerue:
    Dëshirën
    – Amanetin Tand
    Kurr
    Mos me e harrue!
    N’arën time
    Mbolle dashuninë e farës së re
    Me u rritë
    Me Diell e Dritë
    E ne – fluturim,
    Me prekë ballin Tand –
    Flamur shekujsh,
    O trimi
    Im!
    Në shtëpinë time
    Zemrën e kam t’hapun –
    Konakun për mikun
    Dhe sofrën e shtrueme,
    O Prind,
    Njeri,
    Me prek ballin Tand
    Me u rritë
    Fluturim –
    O flamur shekujsh,
    O trimi
    Im!
    Në çdo fidane
    Sot
    Behari ka blerue:
    Dëshirën
    – Amanetin Tand
    Kurr
    Mos me e harrue!
    Nga libri “Shamijat e përshëndetjeve

    Drenica e Kuqe
    30 Korrik, 2012 at 16:49