21 Janari/ Gjykata e nxjerr pa faj IT-në e kryeministrisë
“Do të kërkoj dëmshpërblim, po unë e çmoj shumë këtë vendim të Gjykatës dje edhe pse ishte një vendim i vonuar. Mendoj që jam përballur me akuza dhe rrethana shqetësuese për rreth një vit nga ana e Prokurorisë”. Me këtë deklaratë është paraqitur ditën e djeshme në përfundim të dhënies së vendimit nga Gjykata e Tiranës për pafajësi të tij Armando Kasaj specialisti i IT-së së Kryeministrisë duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij për fshirjen e pamjeve të 21 janarit nga serveri qendror i Këshillit të Ministrave. Trupi gjykues vlerësoi ditën e djeshme se Armando Kasaj nuk i kishte fshirë, pamjet ashtu sikurse pretendonte organi i akuzës, duke e shpallur atë të pafajshëm. Gjyqtari Gerd Hoxha deklaroi se është vërtetuar, se dhoma ku ndodhej serveri, nga i cili janë fshirë pamjet filmike ka qenë e mbikëqyrur nga Garda dhe se kjo nuk ishte zyra e Armando Kasajt. Përveç kësaj-shtoi gjyqtari,- qeliza e telefonit tregon se Kasaj, mesnatën duke u gdhirë 22 janari, për të cilën akuzohet, ka qenë në shtëpinë e tij pranë Medresesë. Pretenca
Prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet burg për specialistin e IT-së së Kryeministrisë për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe për shpërdorim detyre. Ndërkohë, vetë Kasaj në deponimet e tij, ka pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës. Prokuroria dorëzoi për gjykim në 3 maj një prej dosjeve që pa frikë mund të cilësohet si “patatja e nxehtë” për drejtësinë shqiptare. Hetimet 15-mujore duket se nuk i shërbyen aspak organit të akuzës për të zbuluar emrin e personit që urdhëroi të qëllohej me armë ndaj demonstruesve para godinës së Kryeministrisë, duke sjellë për pasojë vrasjen e katër prej tyre.
Akuzat për Ndrea Prendin
Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi po përballet me akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj dhe prova më e fortë që ka në duar prokuroria kundër tij, është akti i ekspertimit të Byrosë Federale të Hetimeve. Agim Llupo, ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, akuzohet për vrasjet e demonstruesve, Ziver Veizi dhe Hekuran Deda. Margarit Kume, shoferi i ish-shefit të Gardës Ndrea Prendi, akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Për të njëjtën akuzë u mor i pandehur dhe Armando Kasaj, specialist i IT në Këshillin e Ministrave, pasi dyshohej se kishte kopjuar dhe më pas fshirë pamjet e serverit qendror të godinës së qeverisë.
Reagon PS: Do paguani një më një
të gjithë, ndaj mos u rehatoni kurrë
Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për shpalljen e pafajshëm të Armando Kasajt, ka reaguar deputeti socialist, Saimir Tahiri. Sipas këtij të fundit, askush nuk duhet të rehatohet, pasi do e paguajë një më një atë që ka ndodhur më 21 janar. “Vendimi i sotëm është vrasje për herë të dytë. Sot jemi të fyer e të lënduar të gjithë bashkë, në radhë të parë familjarët e 4 qytetarëve të pafajshëm që u vranë në 21 janar, pastaj ne e të gjithë shqiptarët që panë me sy vrasësit të qëllonin nga brenda Kryeministrisë duke lënë të vrarë 4 qytetarë e qindra të plagosur. Sot specialisti i Kryeministrisë u shpall i pafajshëm. Dhe kjo është parathënia edhe për gardistët, dhe për vetë komandantin e Gardës, që akuzohen për vrasjen e 4 protestuesve. Por i them e i premtoj sot, tani, nga kjo foltore e në emër të të gjithë kolegëve të mi deputetë të PS, të të gjithë mbështetësve të PS, të të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi pavarësisht bindjeve politike: Armando Kasaj: Sot mund të jesh liruar nga vendimi i një gjyqtari të kapur me ndihmën e pushtetit të Kryeministrit, shefit tënd. Por mos iu gëzo shumë vendimit. Çmimin që ke për t’i paguar drejtësisë e ligjit nuk do e shmangësh dot kurrën e kurrës. Ky premtim vlen dhe për gardistët dhe komandantin e Gardës. Vlen dhe për gjyqtarin e sotëm e të gjithë gjyqtarët e tjerë, të kapur nga koka te këmbët në korrupsion e shërbim të pushtetit. Vlen për Sali Berishën, Lulzim Bashën, Gjergj Lezhjën e këdo tjetër që nga kontribuar shumë apo pak në vrasjet e 21 janarit”, shprehet deputeti socialist.
Komentet Më të Fundit