Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se ekonomia shqiptare ka shënuar rënie gjatë vitit 2012. Nga njëra anë kemi një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit, dhe një tkurrje të gjithë aktivitetit ekonomik sidomos në degën e ndërtimit. Nga ana tjetër përballë kësaj situate Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.25 për qind normën bazë të interesit.
Deklarata
Ditën e djeshme ndërsa ka prezantuar raportin mujor të këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë guvernatori Ardian Fullani ka theksuar se kjo ulje do të rrisë stimulimin monetar të kërkesës së brendshme. “Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.25 pikë për qind normën bazë të interesit duke bërë që kjo normë të zbritet në 4 për qind. Vlerësimi i kushteve monetare në ekonomi do të dominojnë në respekt të objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme, duke rritur stimulin monetar të kërkesës së brendshme,” tha Fullani. Sipas guvernatorit parametrat makro-ekonomike gjatë gjysmës së parë të vitit janë të stabilizuara ndërsa treguesit e deficitit dhe borxhit dhe gjendja e sistemit bankar rezultojnë të qëndrueshme apo në përmirësim. “Inflacioni mesatar ka qenë 1.9 % në periudhën e dytë, duke u rritur me 0.8 % kundrejt tre mujorit të parë. Është rritur çmimi i ushqimeve të papërpunuara. Rënia ekonomisë në tre mujorin e parë ka qenë në 0.2 %. Tkurrja e aktivitetit ekonomik më e theksuar ka qenë në degën e industrisë. Dega e ndërtimit ka pësuar rënie të aktivitetit me 17. 6 % duke dhënë kontribut negativ në ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto. Në sektorin e jashtëm janë reduktuar shkëmbimet tregtare në 5 muajt e parë. Sektori financiar është likuid dhe i aftë të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësimit dhe ekonomia ka përballuar goditjet e ofertës dhe të kërkesës të brendshme dhe të huaj. Këto ndikime ulën GDP dhe ngadalësuan politikat stabilizuese të kërkesë agregate,” ka Fullani.
Eksportet
Sipas guvernatorit eksportet kanë pësuar rritje. “Eksportet kanë shënuar rritje të ulët prej 1.3 %, importet janë ulur me 2 %, duke ndikuar në një ngushtim të deficitit monetar Pavarësisht situatës, perspektivat afatmesme dhe afatgjatë mbeten pozitive kjo dëshmohet dhe nga interesi i investitorëve”, tha Fullani. Guvernatori i BSH-së Fullani ka shtuar se rritja ekonomike do të vijojë të jetë nën potenciale dhe goditjet në krahun e ofertës priten të jenë të moderuara.
Leku forcim të lehtë ndaj euros dhe dollarit
Monedha vendase ka mundur të regjistrojë të mërkurën një ditë pozitive në tregun e këmbimit valutor. Leku ka pësuar një forcim të lehtë ndaj euros dhe dollarit, duke dhënë kështu sinjale se do të ruajë këto nivele gjatë sezonit veror. Ekspertët kanë parashikuar tashmë se nuk priten surpriza të mëdha në këmbimin valutor, sidomos në raportin euro-lek. Ndryshe mund të jetë për dollarin, i cili falë konjukturës ndërkombëtare pozitive pritet të ketë një performancë në rritje. Sipas kursit të publikuar dje në mesditë nga Banka e Shqipërisë, euro është këmbyer me 137.24 lekë, duke pësuar një dobësim shumë të lehtë krahasuar me një ditë më parë, prej vetëm 0.02 lekë. Kërkesa në treg për monedhën europiane ruan ende nivele të larta të saj kundrejt monedhës vendase. Gjatë ditës së djeshme edhe dollari ka pësuar një zhvlerësim të lehtë, me 0,26 lekë. Megjithatë monedha amerikane mbetet ende në kuota të larta, në 113.11 lekë.
Recent Comments