Flet avokatja: Ja përse Kadare iu drejtua gjykatës

Filed under: Aktualitet,Flash |

Gjyqi mes Nexhmije Hoxhës dhe Ismail Kadaresë i cili ka akuzuar ish gruan e diktatorit se ajo ja ka vjedhur dorëshkrimin “Dimri i Vetmisë së Madhe”, nuk është zhvilluar ditën e djeshme duke u shtyrë në gjykatën e Tiranës.  Hetuesit e gjykatës së Tiranës nuk kanë arritur të gjejnë adresën e Nexhmije Hoxhës, duke u bërë shkak që seanca e parë përgatitore e gjyqit civil mes ish-bashkëshortes së Enver Hoxhës dhe shkrimtarit Ismail Kadare të dështojë. Hetuesi ka njoftuar gjyqtarin Bledar Abdullai se: “Adresën tek ish-ndërmarrja e pularisë, në Laprakë, e verifikova por nuk e gjeta dot”.
Flet avokatja e Kadaresë
Nexhmije Hoxha është paditur nga shkrimtari Kadare për dorëshkrimin origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, ndërkohë që në dalje të proçesit, avokatja Flonja Tashko dha detaje të mëtejshme për Top Channel se përse Kadare iu drejtua gjykatës. “Zoti Kadare kërkoi kthimin e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, që ndodhet në posedim të zonjës Hoxha. Ne, në emër të zotit Kadare, i jemi drejtuar zonjës Hoaxha për të siguruar kthimin, por zonja Hoxha nuk e kthen. Edhe Arkiva e Shtetit dhe Muzeu Kombëtar i janë drejtuar për të kërkuar kthimin e dorëshkrimit origjinal, por nuk ia kanë arritur dot”, deklaroi Tashko. Në kërkesë-padinë drejtuar gjykatës thuhet se: “E paditura gjatë një vizite në shtëpinë e shkrimtarit konstatoi se shkrimtari kishte një shtëpi të vogël dhe nuk kishte kushtet e duhura për të ruajtur dorëshkrimin. Për këtë arsye ajo i kërkoi shkrimtarit që të vendoste përkohësisht dorëshkrimin në arkivën e partisë, për ta ruajtur nga ndonjë dëmtim i mundshëm”. “Shkrimtari”, vijohet më tej, “nuk e kundërshtoi këtë kërkesë dhe pranoi, pasi si mund të kishte kundërshtuar shkrimtari kërkesën e gruas së diktatorit Enver Hoxha dhe një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri, një fjalë e të cilës mjaftonte për të shkatërruar përfundimisht jetën e shkrimtarit dhe familjes së tij”.
Kërkesë-padia
Sipas kërkesë-padisë, më 23 nëntor 2010 paditësi i është drejtuar të paditurës me anë të një letre duke i kërkuar kthimin e dorëshkrimit të veprës, por e paditura ka kundërshtuar të kthejë dorëshkrimin, të cilin vazhdon ta mbajë në posedim në mënyrë të paligjshme. “Si përfundim”, huhet në kërkesë-padi, “duke marrë parasysh kërkesat e ngutshme, i kërkojmë gjykatës të urdhërojë inventarizimin e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, sekuestrimin e tij, si dhe lënien përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur deri në përfundim të gjykimit”. Në konkluzion kërkohet gjithashtu detyrimi i Nexhmije Hoxhës për t’ia kthyer dorëshkrimin origjinal në posedim të autorit Ismail Kadare, në mënyrë që të rifitojë të gjitha të drejtat e autorit që i takojnë në veprën artistike.

One Response to Flet avokatja: Ja përse Kadare iu drejtua gjykatës

  1. Se si nuk po ma mbushe mendjen kjo e Kadarese.Une e di se Kadare kishte asokohe edhe veture respektivisht limuzine. Me kujtohet kjo sepse ai kishte ardhur ne Prishtine me veture asokohe dhe e kishte parkua para hotelit Grand. Prandaj te mos kete end ku ta ruaj doreshkrimin!!!!???. Une besoj shume se ky per t`iu “vardisur” politikisht ia ka dhuruar ate.

    Plisi-Prishtinë
    25 July, 2012 at 15:10