Milo: Gjysma e kryesisë së PS po punon kundër Ramës

Filed under: Flash,Politikë |

“Në Partinë Socialiste ka njerëz që punojnë për ti zënë vendin Edi Ramës”. Kjo është ajo që beson kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, i cili ishte i ftuar në emisionin “Prizëm” në “AS’, ku u diskutua për mbylljen e reformës zgjedhore, dhe pakënaqësinë e partive të vogla. “Në PS ka njerëz që janë edhe anëtarë të kryesisë së PS që mezi presin që Edi Rama të pësojë humbjen e radhës dhe të mund t’i zënë karrigen. Është një gjë që jo vetëm që urohet, po dhe punohet që kjo të ndodhë”, tha Milo.

Edhe aleatët e PD të pakënaqur

Aleati tradicional i demokratëve, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, i cili gjithashtu mendon se kodi nuk zgjidhi çështjen e barazisë së votës, tha se një dalje nga koalicioni nuk do të shkaktonte krizë parlamentare. “Ndërsa nuk garantohet barazia e votës po e prishim qeverinë. Kush është hapi pas kësaj? Qoftë një qeverisje teknike, qoftë një qeverisje e madhe prapë nuk garantojnë një proces, sepse në fund të fundit do të shkojnë në Parlament ku numri i votave si i PD dhe i PS nuk do të pyes për këtë raport që mban një qëndrim partitë politike brenda koalicionit. Pra, nuk janë numrat e mjaftueshëm për të krijuar një krizë, jo qeveritare po një krizë parlamentare”, u shpreh Mediu.
Qëndrimi i analistëve
Për analistët Skënder Minxhozi dhe Afrim Krasniqi dhe këtë herë ndryshimet në kod janë një pazar mes dy partive të mëdha në dëm të atyre të vogla. “Të gjitha shkeljet dhe kushtetuese madje, ju kujtoj atë të parimit të barazisë së votës, kanë mbetur aty po është bërë një makiazh i kodit”, tha Skënder Minxhozi. “PS po themi ka arritur një qëllim në kuptimin që ka eliminuar aleatët e sotëm me shpresën se do të mund të marr ndonjë nga ata aleatët e djathtë që ka sot në qeveri. Ndërkohë që maxhoranca ka bërë një gabim strategjik, sepse të gjitha votat e aleatëve tradicional i ka detyruar të shkojnë në koshin e votave të LSI që nuk është normale dhe nuk është një aleat natyral”, u shpreh Afrim Krasniqi. Komisioni parlamentar i reformës zgjedhore mbylli draftin e ndryshimeve në kod të mërkurën e kaluar, pa marrë në konsideratë kërkesën e partive të vogla për korrektim kombëtar.

 

Kryeministri në takimin me temë “Sfidat kryesore, sot, pёr paqen dhe sigurinё”

 

Berisha në Romë: Jo ndryshim të kufijve në Ballkan

 

Kryeministri Sali Berisha ka mbajtur dje një fjalim në takimin mbi sigurinë globale në Romë, me temë “Sfidat kryesore, sot, pёr paqen dhe sigurinё”. Në fjalën e tij kryeministri shqiptar ka folur mbi sfidat që e presin presidencën shqiptare të KiE-së dhe prioritetet e saj, ku një rëndësi të veçantë i ka kushtuar situatës në Vendet Arabe dhe në Siri. Duke folur veçanërisht për Ballkanin shefi i qeverisë shqiptare është shprehur se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, sepse ndryshimet në rajon janë përfundimisht të pakthyeshme. Ai tha se ky gadishull ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Asnjë rajon tjetër në Europë nuk ka ndryshuar më shumë se ky rajon. Nga një rajon i kohës së ndaluar, sot vendet e tij kanë sot qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Nga një rajon konfliktual, është shndërruar sot në një rajon bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. “Unë mendoj se Ballkani ka arritur këtu edhe falë përpjekjeve të jashtëzakonshme pozitive të vendeve tuaja për të ndihmuar kombet tona dhe rajonin tonë. Por sërish disa probleme mbeten. Unë kam bindjen se ndryshimet në rajon janë përfundimisht të pakthyeshme. Ajo që është më e rëndësishmja për të gjithë ne që jetojmë në këtë rajon është të kuptojnë e pranojmë se këto ndryshime janë të pakthyeshme dhe se koha nuk mund të kthehet mbrapa”- u shpreh kryeministri Berisha. Duke folur për përmbylljen e pavarësisë së Kosovës, forcimin e shtetit ligjor në këtë vend dhe njohjen në forumet ndërkombëtare, Berisha tha se çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë hap një zinxhir tensionesh dhe madje konfliktesh dhe do të duhen shumë vite për të dalë prej tyre. “Brukseli negocioi një marrëveshje shumë të mirë midis Kosovës e Serbisë, e cila i hap dyert bashkëpunimit intensiv rajonal. Unë besoj se pranimi i kufijve ekzistues është kruciale për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Çdo përpjekje për të rishikuar kufijtë hap një zinxhir tensionesh dhe madje konfliktesh dhe do të duhen shumë vite për të dalë prej tyre. Në Kosovë ka disa minoritete, përfshirë ai serb. Por në mënyrë të habitshme, shumica e serbëve, që jetojnë në jug të Ibrit, jetojnë në paqe e harmoni me shqiptarët, ndërsa serbët, që jetojnë në tre komuna në veri të Mitrovicës, ku nuk ka shqiptarë, jetojnë në tension, në një kohë kur askush nuk i lëndon, askush nuk ua kufizon të drejtat njerëzore. Çështja e këtyre tre komunave duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar”- theksoi Berisha, i cili shtoi se kufijtë e Kosovës dhe integriteti territorial i saj duhet të respektohen. Problemi kryesor në këto tre komuna është kontrabanda. Kontrabanda me shqiptarët, maqedonasit, boshnjakët, të gjithë. Kjo është e vërteta. Dhe kjo sepse ata janë jashtë kontrollit. Ai tha se Shqipëria ka vendosur marrëdhënie shumë të mira me fqinjët e saj dhe se mbështet integrimin e plotë të rajoni në NATO, ndërsa apo punon fort për t’u afruar edhe më shumë me Bashkimin Europian. Gjithashtu duke u ndalur në situatën në Siri kryeministri deklaroi se një diktator tjetër mizor po sfidon botën e lirë dhe ky është Asad, mizoritë e të cilit i krahasoi me atë që ndodhi në Bosnje, në Kosovë, në Libi.