“Administrata drejt shkurtimit, vende të reja pune në sektorin privat”

Kategoria: Ekonomi |

Axhenda qeveritare do të riorientohet drejt nxitjes së punësimit, si interesi jetik i qytetarëve shqiptarë. Kështu ka deklaruar në mbledhjen e djeshme të Qeverisë kryeministri Berisha. Duke risjellë në vëmendje të dhënat e fundit të certifikuara nga raportet ndërkombëtare, raporti i UNCTAD dhe ai i Komisionit Europian, që flasin për tendencën e një rritjeje progresive të punësimit në Shqipëri, kryeministri kërkoi nga ministrat të rishqyrtojnë programin e punës së tyre në funksion të thithjes së investimeve të huaja dhe mbështetjes më të madhe të sektorit privat, veçanërisht bizneseve që punësojnë shumë. “Rruga që të çon në maksimumin e punësimit është mbështetja e fuqishme e sektorit privat, mbështetja e fuqishme e prodhimit, mbështetja e fuqishme e biznesit që punëson më shumë,” u shpreh Kryeministri. Duke e përcaktuar zgjerimin e hapësirave të iniciativës private dhe punësimit jetik, në një kohë kur kriza europiane dhe më gjerë është shumëdimensionale dhe jo afatshkurtër, Kryeministri theksoi se objektivi duhet të jetë ulja edhe më madhe e papunësisë. “Kjo është e mundshme,-tha kryeministri,-atëherë kur ju e vartësit tuaj të shohin pas çdo iniciative private, pas çdo sipërmarrjeje private e pas çdo reforme që e lehtëson dhe i kontribuon asaj, qytetarët shqiptarë që punësohen, familjet shqiptare të jetojnë më mirë, për shkak të punësimit të anëtarëve të tyre.” Kryeministri Berisha ftoi opozitën të heqë dorë nga taktika e sulmit kundër investitorëve, me deklarata për anulimin e privatizimeve, koncesioneve apo veprimtarisë private, vetëm për faktin se ato vendime janë marrë nga qeveria. “Opozita, është e ftuar dhe e mirëpritur të kontrollojë në çdo qelizë veprimtarinë e kësaj qeverie, por sulmi në bllok kundër investimeve të huaja dhe iniciativës së lirë është jashtëzakonisht kundërproduktiv për vetë opozitën, por nuk është i mirë edhe për vendin.” Raporti i UNCTAD-it dhe raporti i Komisionit Europian, theksojnë se punësimi në Shqipëri u rrit për shkak të fuqizimit të sektorit privat, me një rritje që në total është 5.5 përqind. “Të hapim hapësira për biznesin, edhe duke u rrudhur vetë si sektor publik. Një nga të dhënat më pozitive të këtyre raporteve është zvogëlimi i administratës në Shqipëri. Kjo është shumë pozitive. Këtu dallon koncepti ynë me konceptin e quajtur progresist apo marksist, i cili e konsideron administratën si ndërmarrje punësimi. Por administrata nuk e nuk mund të jetë është aspak, ndërmarrje punësimi. Ajo është para së gjithash e mbi të gjitha, një sistem shërbimesh për qytetarët, me numrin më të vogël të punonjësve e cilësinë më të lartë. Ky është synimi,” u shpreh më tej kryeministri Berisha. Ndaj ai kërkoi nga secila ministri të bëjë planin, të shqyrtojë potencialet se çfarë do t’i ofrojmë më shumë sektorit privat, çfarë do të bëjmë më shumë për zgjerimin e hapësirave të tij, cilat ligje e rregulla duhen ndryshuar për t’i bërë ato më të përshtatshme e më miqësore për biznesin. Rama: PS nuk sulmon, kundërshton grabitjet Kreu i PS-së, Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, duke i kujtuar atij se opozita, jo vetëm do të kërkojë transparencë për investimet, por do të prapësojë të gjitha aktet korruptive. Kreu i PS dje ndodhej në Selanik, në mbledhjen e Komitetit të Europës Juglindore të Internacionales Socialiste. Reagimi është bërë në profilin e tij në Tëitter, ku Rama i ka quajtur sulme ndaj opozitës deklaratet e kreut të qeverisë. “KM përsëri sulm opozitës! Prapë i them: Po po, do bëjmë transparencë të plotë për grabitjet me vendim qeverie! Do i prapësojmë aktet korruptive!” shkruan Rama. Sipas tij, opozita nuk është kundër investimeve, por kundër grabitjeve të pasurisë publike me vendime qeverie!