Nano: Paratë të përqendruara në duart e klientëve të Berishës

Kategoria: Flash,Politikë |

Situata ekonomike ka qenë në qendër të reagimit më të fundit nga Lëvizja Nano, e cila thekson se vendi po kalon një periudhë të vështirë dhe se kriza ekonomike po shkakton rritje të papunësisë e të varfërisë. Duke akuzuar qeverinë se ka dështuar në këtë sektor jetësor, Lëvizja Nano thekson se përqendrimi i pasurisë në pak individë të lidhur me “Qeverinë Berisha” ka rritur polarizimin social, ka thelluar varfërinë dhe kërcënon jo vetëm statusin e Shqipërisë, kandidat për anëtar në BE, por dhe zhvillimet e ardhshme ekonomike, sociale dhe politike në vend.
Akuzat e Nanos
Lëvizja Nano vlerëson se vendi është duke kaluar një periudhë të vështirë ekonomike dhe sociale, pasojat e së cilës kanë krijuar rritje të papunësisë dhe varfërisë. Më rëndë nga kjo krizë po goditen pensionistët, të papunët, të paaftët për punë, dhe shtresat e marxhinalizuara. ”Qeveria e sotme ka dështuar, sepse jo vetëm ka deformuar kërkesën e tregut me investime paranojake dhe klienteliste, pa vizion, pa arsyetim zhvillimor, me baza populiste elektorale, por nuk e ka pasur kurrë si objektiv të politikave të punësimit, të taksimit dhe të mbrojtjes sociale që të krijojë një shpërndarje më të drejtë dhe me të ndershme të përfitimeve të rritjes ekonomike midis grupeve shoqërore në vend. Përqendrimi i pasurisë në pak individë të lidhur me qeverinë Berisha, ka rritur polarizimin social, ka thelluar varfërinë dhe kërcenon jo vetëm statusin e Shqipërisë-kandidat për anëtar në BE, por dhe zhvillimet e ardhshme ekonomike, sociale dhe politike ne vend”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Nano
Dalja nga situata
Për Fatos Nanon është emergjente marrja e masave për të kapërcyer situatën në të cilën ndodhet vendi. “Qeverisjet e Sali Berishës kanë njohur veç shtegun e ngushtë të privatizimit, elektoralizimit dhe partiakizimit të reformave sikundër privatizojnë, partiakizojnë, elektoralizojnë dhe akaparojnë të gjithë shtetin. Kjo qeverisje që me këtë mendësi, kulturë e sjellje të gabuar, me ngarkesa të forta postdiktatoriale, nuk duhet toleruar më në këtë ecje të çartur nëpër shtigje të ngushta të interesave partiake, elektorale dhe private, korruptive e arbitrare, të cilat nuk bëjnë dështake vetëm Qeverinë e Sali Berishës, por i kundërvihen interesave kombëtare dhe publike, dëmtojnë rëndë edhe zhvillimin e Shqipërisë dhe përparimin e axhendës së integrimit europian,”, thuhet në deklaratë. Në fund mbyllet me thirrjen për bashkimin e opozitës. “Ndaj edhe ripërsërisim se alternativa e Opozitës së Bashkuar do të jetë alternativa fituese në zgjedhjet e vitit 2013, për ti dhënë Shqipërisë një qeverisje të pastër, transparente dhe llogaridhënëse, për të zhvilluar strategji e reforma gjithëpërfshirëse, transparente, të konsultuara dhe të bashkërenduara, për ndërtimin e një Shoqërie të madhe ku edhe qytetari shqiptar është i madh dhe me dinjitet, si edhe për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian me meritë”, përfundon deklarata e dalë nga zyra e Nanos.

Nje Pergjigje tek Nano: Paratë të përqendruara në duart e klientëve të Berishës

  1. Z.Nano jeni edhe ju fajtor per te gjitha keto qe i thoni salos dhe ju jeni personi kryesor qe i dhate kete mundesi dhe kete e ke bere per inate te Edi Rames,ju e bete kryeminister sepse te mashtroj se do te behesh president kete vit,por ta futi edhe kesaj here,kur orvatet ta shkaterroj z.Topin edhe familjarisht ateher kush je ti qe sa e sa here ta ka njollosur edhe familjen,bile edhe prinderit qe nuk jetojne sot e qe ne traditen shqiptare te vdekurit nuk shahen,po them ne traditen shqiptare,sepse sala me fazlliqin serb afer,me kerkesa per nderiimin e historise,gjuhes e kombesise nuk e kam te qarte se çfar kombi ka,pasi u pa,tash doli per ledine qe ska as moral njerezor.

    Adil Aliu
    6 Korrik, 2012 at 18:25