Dje gjatë një konference për shtyp guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka kërkuar ashpërsimin e masave nga bankat dhe gjyqësori për ekzekutimin e kolateralit. Sipas tij pasuritë e lëna peng nga qytetarët dhe konsumatorët për marrjen e huave duhet të ekzekutohen për të shlyer bankat.
Kolaterali
Në një moment kur niveli i kredive të këqija është tepër i lartë, ekzekutimi i kolateralit sipas kreut të Bankës Qendrore, do të sillte më shumë para në sistemin bankar, do të rriste kreditimin dhe likuiditetin në ekonomi. “Përqendrimi serioz dhe realist i këtij bashkëpunimi ndërmjet sistemit bankar financiar, Bankës së Shqipërisë, shtetit shqiptar përfshi këtu Parlamentin e sidomos gjyqësorin, duhet të përqendrohet në dhënien e të gjitha garancive në ekzekutimin e kolateralit të bankave”, deklaroi guvernatori Fullani.
Kreditë e këqija
Niveli i kredive me probleme ka shtrënguar kushtet e kreditimit, pasi bankat nuk kanë besim tek kredimarrësit në kthimin e parave të marrë hua. Mosekzekutimi i pasurive për llogari të bankave, do të dëmtonte bilancet e biznesit si dhe depozituesit. “Duhet bërë e qartë për gjithsecilin, se nëse do të kërkojmë një rritje të kreditimit, ulje të kredive me probleme, nxitje afatgjate e të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, rritje ekonomike, kjo në kushtet aktuale do të vij vetëm nëse ne ekzekutojmë kolateralet, të cilat duhet medoemos ti kthehen në vlerë bankave. Do ti sugjeroja biznesit që të krijojë një marrëdhënie afatgjatë me bankat, transparente dhe të sinqertë; bankat mund të falin por nuk harrojnë”, deklaroi Fullani. Duke nisur nga vitit 2008 niveli i kredive të pakthyeshme erdhi duke u shtuar. Në fund të vitit 2011 ato ishin 18.8 për qind dhe në muajin maj të këtij viti ato shkuan në 20.6. për qind. Paratë e bllokuara nga mosekzekutimi i kolateralit arrijnë afro 20 miliardë lekë.
Biznesi
Banka e Shqipërisë paralajmëron se ngadalësimi i konsumit dhe investimeve private rrezikojnë ekonominë shqiptare jo vetëm në këtë periudhë të ndikimit të krizës europiane, por edhe për një periudhë afatgjatë. “Rreziqet kryesore që kërcënojnë stabilitetin ekonomik të vendit, lidhen me rritjen ekonomike. Në një sërë sinjalesh që vijnë nga sektori real dhe ai financiar, tregojnë që tkurrja e bilanceve të konsumatorit dhe njëkohësisht ngadalësimi i investimeve të përdorura deri tani nga agjentët ekonomikë privatë, si masa mbrojtëse ndaj krizës mund të kthehen në një dëm të prospektit afatmesëm të rritjes ekonomike. Tendenca e kursimit dhe e shtyrjes së investimeve rrezikon të ndikojë avantazhet konkurruese të ekonomisë dhe potencialin rritës të saj”,- u shpreh guvernatori Fullani. Kreu i Bankës së Shqipërisë ka kërkuar rritje të bashkëpunimit mes biznesit dhe bankave, dhe krijimin e marrëdhënieve të forta dhe afatgjata.
Ligji për kooperativat, fermerët do sigurojnë tregje
Krijimi i fermave bujqësore dhe atyre blegtorale, duke bashkuar kapitalin, do të ishte një mundësi më shumë për popullsinë fshatare në gjetjen e tregjeve për produktet e tyre si dhe vetë zhvillimin e sektorit bujqësor. Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, në një takim me fermerë nga zona të ndryshme të vendit ka folur mbi rëndësinë e krijimit të kooperativave ose shoqërive bujqësore. “Në kundërshtim me kooperativat e sistemit që lamë, kooperimi i mirëfilltë bazohet në disa parime bazë. Principi i parë është që financuesit e kooperativës janë pikërisht ata që e zotërojnë dhe e përdorin këtë strukturë. Principi i dytë, ata që e kontrollojnë kooperativën janë ata që përdorin shërbimet dhe përftimet e kësaj strukture. Qëllimi i vërtetë i kooperativës është që të sigurojë dhe të shpërndajë përftime për përdoruesit e saj”, deklaroi Ruli. Ligji i ri për shoqëritë bujqësore synon grupimin e fermerëve në shoqëri të përbashkëta. Fermerët mund të organizohen vullnetarisht në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor të tipit të prodhimit dhe marketingut, të konsumit, të imputeve si dhe sigurimit të produkteve dhe aseteve.
Komentet Më të Fundit