Nga Riza Lahi
E cila qenka kjo anë e frikshme krahas të mirave të mëdha e të padiskutueshme të futjes në BE? Popujt e vegjël kanë këtë rrezik potencial – goditjen e rëndë apo dhe humbjen e identitetit të tyre kombëtar. Këtë tezë nuk është se e kemi zbuluar ne të parët; këtë e dinë apo e hamendësojnë të gjithë, por te ne në Shqipëri, siç duket pak kush e ka në referencë.
Shtylla të identitetit kombëtar janë, së pari gjuha. Nga 3.5 milion fjalë që përmban bagazhi i leksikut tonë, a janë në minoritet të theksuar fjalët origjinale të shqipes? Unë ende nuk dua ta besoj shifrën 700–800 fjalë gjithsej, siç e kam lexuar në një statistikë. Latinizmat, sllavizmat dhe turqizmat e kanë bërë të veten gjatë shekujve. Alarmin e dhimbshëm e pati dhënë 5 shekuj më parë një prift – Gjon Buzuku, kur shkruan për gjuhën tonë që “po bdaret e po bastardhohet”.
Leksiku i shqipes është goditur rëndë gjatë globalizmit romak dhe otoman. Por këta lloje globalizmi, nuk mundën ta mposhtnin kurrë, ta merrnin qoftë edhe kullë nga morfologjia, sintaksa dhe ndërtimi i fjalive të gjuhës sonë kaq të vjetër dhe, me siguri që ka qenë edhe po aq e pasur.
Alarmin atëherë e dha një shkrimtar – Buzuku. Shkrimtarët shqiptarë të ditëve të sotme po shkojnë drejt shfarosjes, duke i lënë vendin një kategorie tjetër pasionantësh për të shkruar, për të derdhur hallet e dertet e veta, që kundrejt prarave, mund të botojnë çfarëdo dhe sapo të kenë derdhur të hollat në numrin përkatës të llogarisë.
Si të shuajnë pasionet edhe kjo kategori, do të vijnë të tjerë, që do të pyesin se përse ishin kaq budallenj paraardhësit e tyre që merrnin para borxh për të botuar një libër apo e bënin faqen shollë, dhe mandej e dhuronin andej – këndej.
Kjo që po shkruajmë nuk del nga shpirti i një Kasandre. A nuk e kemi parë se brima e fundit e kavallit në këngët tona, deri edhe në festivalet kombëtare, janë tekstet? E kush do të dijë më për këtë? Kam shtangur sytë kur mora vesh se kishte 500 000 klikime një “këngë” me fjalë nga më banalet të përfshira në “lirikën” e këngës.
Mjafton vetëm ky tregues për të treguar shijet e çoroditura me të cilën po ushqehen brezi i ri i “evropianëve”.
Shkrimtarët profesionistë që ka kultivuar me mundim populli ynë nuk I përkrah askush, nuk kanë para për një kafe dhe u kërkohet që të humbasin sovranitetin e tyre me gjithfarë formash. Sot ai lloj shkrimtari si Jakov Xoxa, etj, që zhbirilonte në leksikun e shqipes si një urith I palodhur, nuk ekziston më. Dakord, shqiptarët kanë jetuar edhe pa shkrimtarë; fare pa libra apo vetëm me përkthime, siç po bëhet sot. Po , anë tjetër e këtij identiteti që ne themi se është në rrezik – dhe këtu duam të ndalemi kësaj radhe – është folklori.
Mendojmë se sociologët e fundshekullit XX, duket se kanë patur krejtësisht të drejtë kur parashikonin se, pas përfundimit të “luftës së ftohtë”, konfliktet në rruzullin tonë kanë për të qenë në kryesisht në drejtimin nacional dhe në atë fetar.
Duam të cekim vetëm për pak se, te ne nuk është kujtuar askush se kemi një burim të mrekullueshme turizmi që nuk e ka askush në tërë rruzullin. Shumë misionarë fetarë që kanë ardhur ten e kanë deklaruar se pjesa tjetër e botës ka mundësi të mësojë nga populli shqiptar për tolerancën mes të trija feve; feve që shprehen me për tolerancë dhe butësi dhe që janë nga më agresivet dhe që kanë treguar kthetrat e veta mesjetare sa e sa herë kundër kundërshtarëve të vet. E pra, këta tre fe shkojnë për mrekulli në Shqipëri, megjithëse u përpoqën shumë për ta shkatërruar këtë ekuilibër. Le ta lëmë për një herë tjetër këtë temë. Të vazhdojmë për konfliktet nacionale.
Vetëm një i verbër nuk i shikon se si janë në rritje këta konflikte. Do të thonim se konfliktet me armë janë njëra nga format e shumta të shfaqjes së nacinalizmave. Këta lloj konfliktesh të përgjakura tanimë, si të thuash, janë vënë në zap, por të tjerat, kanë ardhur duke u rritur. Ishim me ansamblin “Shqiponjat” në “Gazi Baba” të Shkupit dhe pamë me adhurim se si stafi maqedon dhe ai shqiptar që qëndronin pranë nesh, i përngjisnin një zemre të vetme. Mrekulli! Në atë vend para ca kohësh ka pas plumba dhe gjak për motive nacionale. Edhe partitë në këtë vend janë të karakterit nacional. Nuk u interesuam për VMRPDPME, por shumë që pyetëm, na thanë se dy partitë shqiptare, e Thaçit, dhe e Ahmetit, as që bëhet fjalë, të kenë ndonjë anëtar maqedonas.
Mirëpo veprat e mrekullueshme skulpturore, madhështore, të mahnitshme nga arti, kushtuar Filipit të Dytë, luftëtarëve të asaj periudhe dhe njërit prej strategëve më të mëdhenj që ka nxjerrë njerëzimi, njeriut që ka emrin e monedhës së shqiptarëve, Aleksadrit të Madh nuk ishin ngritur kot.
Edhe shqiptarët kishin nxituar të vinin shtatoren e Skënderbeut, që, ç’është e drejta, stononte nga përmasat e veprave të sipërpërmendura. Këta vepra me kushedi se sa shumë harxhe, janë ndërtuar këtë një dy vitet e fundit. Dhe kjo flet për furinë nacionaliste që gëlon edhe në këtë vend të vogël dhe me probleme.
Por, një nga treguesit më të fortë të ndjenjave nacionaliste nëpër Evropë, janë përkujdesja shumë në rritje ndaj folklorit dhe shkrimtarëve vendas. Për shkrimtarët vendas që në Shqipëri e kanë gjendjen “ibreti mu sibret”, kemi folur sa na ka zënë goja lesh. Shteti shqiptar gjen para për të ruajtur paqen me ushtarët e vet në disa vende të botës, por 5 lekë të qelbura për të mbajtur gazetën 106 vjeçare, më të vjetrën, gazetën e shkrimtarëve dhe artistëve “Drita”, nuk i gjeti dot; për turpin dhe pafytyrësinë e tij dhe të klasës së tij politike!
E…na mbetet te folklori. Në mënyrën më të pastër dhe të drjetpërdrejtë atje paraqitet identiteti, bota shpirtërore, psikologjia, ndjenja e së bukurës, gjithçka shqiptare kur ne po këmbëngulim të futemi në gjithpërfshirjen e BE. Kudo ku kemi qenë me “Shqiponjat”, me ansamblin “Kaltërsia” apo “Besëlidhja gorare”, kemi parë se vendet mikpritëse kanë bërë dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për të organizuar sa më mirë festivalet folklorike që i bëjnë “ndërkombëtare”. Ne këtu në Shqipëri na dridhet zëmra të organizojmë ndonjë të tillë festival. Ja, sapo u bë festivali ndërkombëtar i CIOFF Albania në Përmet. Me përpjekje të jashtëzakonshme të presidentit shqiptar Niko Mihali, ja, u realizua dhe sivjet, por me fonde thuajse të mjera dhe pa madhështinë e festivaleve paraardhëse. Pavarësisht se ky lloj aktiviteti tanimë ka përmasat e një institucioni. Kudo ku kemi qenë, bashkitë vendase, kanë qenë të mobilizuara në tërësinë e tyre për festivalet e folkut në zonën e tyre. As që bëhet fjalë që kryetari i bashkisë, prefekti, gjenerali ushtarak i zonës (në Turqi) të mos presin përfaqësuesit e folklorit të vendeve mysafire, të shkëmbejnë dhurata, etj. Po te ne? Megallomania a, mbase injoranca e kryetarëve të bashkisë është kaq turpësisht evidente, saqë asnjëri prej tyre – dorën në zemër nëse ndonjëri e ka bërë e nuk e di unë – nuk merr mundimin të vejë t’u japë dorën artistëve që vejnë apo kthehen nga jashtë atdheut ku prezantojnë anën nga më qenësoret të identitetit tonë kombëtar (që e rrezikon gjithmonë globalizmi). Kthehen fëmijët shqiptarë apo dhe artistë të rritur nga aksh vend, ku kanë marrë vend nderi, e nuk e lëviz b…as edhe një funksionar i dorës së tretë të një minibashkie të vijë e t’i takojë, sa për “më ka çue nana me la gojën”, pavarësisht se atje ku kanë qenë, ata kanë takuar dhe i ka spërkatur me levandën e zyrës, kryebashkiaku i një qyteti me 400 mijë banorësh, psh. Ansamblet folklorike janë thuajse të gjitha private dhe, fëmijët atje, janë kryesisht prej familjeve të varfra apo drejt mesatares. Çfarë i prishet, ta zëmë, kryebashkiakut të kryeqytetit, ta vërë në rend të ditës të takojë edhe këta burra dhe gra që po konsolidojnë me sa munden atë pjesë të identitetit tonë kombëtar? Të krenohet kur ata paraqiten mirë? Të bëjë një foto me ta? Po kryebashkiakut të Kamzës, a nuk do t’i shkonin punët akoma më mirë, sikur të kishte më shumë marrëdhënie me drejtuesit e ansamblit të madh folklorik “Kaltërsia” të qendrës së tij tanimë me 100 banorë, shumica, ardhacakë?
Morëm këta dy shembuj nga Tirana, thjesht, për mungesë informacioni për më tej.
Nëse paqeruajtësit shqiptarë, me paratë e taksapaguesve shqiptarë venë të kryejnë misione jashtë atdheut për ruajtjen e paqes globale dhe priten e përcillen me nderim, përse nuk ngjet një gjë sado e përafërt me ansamblet e folkut shqiptar, që, për më tepër, në asnjë rast nuk ka ngjarë të kenë cenuar fondin e shtetit?
Para disa vitesh isha në pozitën e përkthyesit në një seminar të CIOFF tok me z. Niko Mihali. Presidentja italiane e CIOFF atje na tha se edhe ata kishin në Itali kostume të bukura folklorike, psh, tha ajo, në Kalabri dhe na la të kuptonim për pasuritë e mëdha folklorike që ka Shqipëria, sado që shumica e tyre paraqitet, shtoi më pas me cinizëm, me cilësi mesatare e poshtë. Sigurisht që kishte të drejtë. Mirëpo…në Alatri të Italisë, kur ishim para dy viteve me “Shqiponjat”, që drejtohet nga ish piloti i mbrojtjes kombëtare shqiptare Eqerem Tuga, në një festival ndërkombëtar folku atje, organizuar nga CIOFF vendas, ne ndeshëm në një këngë…së paku 350 vjeçare. Ishte tipike napolitane, e gëzuar, e qeshur dhe ngjyra-ngjyra, por, edhe vetë këngëtari që e prezantoi atë, nuk I kuptonte disa fjalë. Ato ishin në një italishte shumë të vjetër. Vallë nga cili sënduk i popullit komshi Italian kishte dalë ajo perlë?
Dhe e kujtuam sërish bisedën me presidenten e CIOFF Italian.
Ne shqiptarët duke hyrë në BE nuk kemi përse të mbajmë kryet ulur, por lart. Le të hyjmë në BE jo duke u krenuar për shtresën e politikanëve e as të parallinjve. Vështirë të krenohemi më edhe me mendimtarët e shkrimtarët. Ne duhet të hyjmë dhe do të hyjmë duke mbajtur të shkruar me gërma të mëdha në ballin tonë folklorin e pasur dhe tolerancën fetare
Komentet Më të Fundit