Rubik, realizohet flamuri i parë gjigand në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë

Kategoria: Politikë |

Nga Aleksandër Ndoja

Rubiku një qytezë e vogël por me një histori shumë të vjetër në përbërje të krahinës së Mirditës, është qyteti i parë në Shqipëri që nis me madhështi festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së shqiptarëve. Pikërisht një ditë më parë në këtë qytet është inauguruar përfundimi i një vepre gjigande artistike, në fokus të cilit është flamuri kombëtar shqiptar, i shoqëruar në dy cepet nga flamuri i BE dhe i SHBA-së. Vepra është realizuar në një platformë betoni në anë të lumit Fanë, ndërsa madhështia e kësaj vepre duket qartë nga autostrada që kalon paralel me qytetin e Rubikut, dhe me vetë flamurin gjigand. Kjo ka bërë që udhëtarë të shumtë të ndalojnë mjetet e tyre në autostradë për të parë flamurin i cili është punuar mjeshtërisht nga piktori kurativ Anton Curri nga qyteti i Rubikut.

Ideja dhe realizimi

Xhovalin Kaçorri ideator i kësaj vepre me profesion dizenjator dekoracionesh thotë se “sa herë kaloja nëpër autostradë përballë qytetit piktoresk të Rubikut më tërhiqte vëmendjen ana tjetër e rrugës, argjinatura e betontë që mbron qytetin e Rubikut nga gërryerjet e lumit Fanë i cili kalon ngjitur me qytetin. Ajo platformë e gjatë betoni me pozicion të pjerrët ishte ideale për një flamur kombëtar. Ndaj nuk hezitova dhe në kompjuter realizova projektin të cilin ja besova piktorit dekorativ Anton Curri, i cili për shumë vite në Greqi ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në rehabilitimin e shumë afreskeve kishtare dhe ikonave të ndryshme. Sot kur vepra ka përfunduar, jemi shumë të lumtur për këtë kontribut që i jep më shumë ngjyrë festës së 100 vjetorit, por ngulit edhe më shumë ndjenjën kombëtare tek banorët dhe mijëra kalimtarë në rrugën Durrës-Kukës”. Ndërsa realizuesi Anton Curri thotë se “e kam pëlqyer sa e kam parë projektin. Bashkë me shumë qytetarë të Rubikut kemi punuar pa pushim në pikun e diellit duke shtrirë bojën e kuqe në gjithë përbërjen e platformës së betontë. Në këtë kuadër, falenderimet e mija më të përzemërta për këtë vepër të shkëlqyer në Rubik shkojnë për të gjithë banorët e qytetit, Bashkinë e Rubikut për mbështetjen e gjithanshme, ideatorit dizenjues Xhovalin Kaçorri e mbi të gjithë për sponsorin gjeneral z. Rexhep Ruçi i cili mbështeti financiarisht të gjithë projektin, këtë vepër nderi për qytetin dhe kombin tone, por dhe deputetin e zonës z. Gjovalin Kadeli i cili ka sponsorizuar aktivitetin festiv në ditën e inaugurimit”.

Festa

Në përfundim të realizimit të flamurit gjigand qindra banorë të Rubikut por edhe të ardhur nga Rrësheni e Lezha kanë pushtuar shtratin e lumit Fanë përballë flamurit. Të veshur shumica me kostume kombëtare dhe me bluza ku është stampuar flamuri kombëtar, për më shumë se dy orë kanë kënduar dhe vallëzuar shoqëruar me muzikë kombëtare shqiptare. Vendi është mbushur me flamuj të shumtë, ndërkohë që një numër i madh automjetesh lëviznin me të rinj që valëvisnin flamujt dhe tullumbace të kuqe. Në aktivitet kanë marrë pjesë deputeti i zonës z. Gjovalin Kadeli, kryetari i Bashkisë Rubik z. Gjokë Vuka dhe drejtues të tjerë vendorë, si dhe përfaqësues të mediave. Nuk ka pasur fjalime siç ndodh rëndom në raste inaugurimesh, ndërkohë që emocionet kanë qenë të mëdha dhe festa ka zgjatur në rrugët e qytetit, qytet i cili vendosi flamurin pikërisht në platformën që mbron qytetin nga vërshimet e forta të lumit Fanë.