Kopertina provokuese për Obamën: I pari president gay

Kategoria: Bota & Rajoni |

Revista e njohur “Newsweek” ka publikuar dje kopertinën e edicionit të radhës, ku shfaqet presidenti amerikan, me një aureolë ngjyrë ylberi, ndërkohë që poshtë lexohet “Presidenti i parë gay”. Revista prestigjioze e lajmeve po përdor deklaratat e Obamës për të etiketuar presidentin e martuar dhe me dy fëmijë. Kjo duket një mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për të shtuar shitjet. Aq më tepër që rivalja e tyre, revista Time, kishte së fundmi një kopertinë po ashtu shumë të debatueshme, ku dukej një nënë që ushqente me gji fëmijën e saj 3 vjeç. Revista vlerëson se deklarimi i presidentit Obama pro martesave homoseksuale ka qenë i kalkuluar.  Deklarata e tij ka gjetur kritika, por edhe lavdërime.
Revista
Presidenti Barack Obama kur deklaroi një javë më parë në një intervistë për ABC Neës se ishte pro martesave gay me siguri ka ditur se deklarata e tij në një vend katolik si SHBA-të do të komentohej gjatë. Gazetari rebel Andrew Sullivan hap revistën e përjavshme Newsweek me një titull provokues poshtë fotos së Barack Obama:” Presidenti i parë gay”.  Sullivan rrëfen një ngjarje të vitit 2007 kur një nënë i është afruar në atë kohë Senatorit Barack Obama dhe i ka rrëfyer historinë e djalit të saj homoseksual i cili nuk martohej dot për shkak se ishte gay. Sipas gazetarit të Newsweek Obama është përgjigjur:- Unë dua barazi të plotë për djalin tënd.  Të gjitha të drejtat dhe të mirat që një martesë mund të sjell.  Vërtet që dua. Por fjala “martesë” ka shtuar ai, ende është e rrethuar me një vel religjioz dhe ndjenja fetare.  Mendoj që ndoshta organizatat për të drejtat civile duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim.
Taktika
Sullivan është jo pak ironik kur thotë se Obama ishte taktik në përgjigjen e 2007-ës duke thënë se ishte për barazi por jo për martesën.  Pak a shumë “yes we can’t, një revokim i sloganit të Obamës në fushatën e parë presidenciale “Yes we can”.  Duke ju referuar burimeve të gazetarit Sullivan në Shtëpinë e Bardhë ai tregon se Presidenti është ndjerë sikur ka hequr një barrë të rëndë pas asaj deklarate ne ABC News.  Kjo deklaratë e presidentit Obama vetëm pak kohë para se të nis fushata presidenciale në SHBA duket të jetë e mirëmenduar dhe e kalkuluar edhe politikisht sipas Sullivan.

Bie mbështetja e Merkel, votimet
favorizuan socialdemokratët
Kancelarja gjermane, Angela Merkel këmbëngul se humbja e madhe që pësoi partia e saj në rajonin më të populluar të Gjermanisë nuk do ta dobësojë atë derisa po lufton me thellimin e krizës së borxheve evropiane. Merkel po ashtu tha se është “shumë e relaksuar” në lidhje me zgjedhjet kombëtare që mbahen në fund të 2013-ës. Partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, ka pësuar humbje të madhe në zgjedhjet rajonale. Demokratët e krishterë të Merkelit kanë fituar vetëm 26 për qind të votave në zgjedhjet e shtetit North Rhine Uestfalia. Socialdemokratët e opozitës dhe të gjelbrit kanë siguruar shumicën, ndërsa Partia Pirate ka marrë më pak se 8 për qind të votave, por ka siguruar ulëse në asamblenë e shtetit gjerman. Merkel, këmbëngul se rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë të bëjnë me punën e saj, duke shtuar se puna e saj në Evropë nuk preket, nga ajo që pranoi se ishte “disfatë e dhimbshme dhe e hidhur”. Ne rang kombëtar zgjedhjet e se dielës nuk sjellin një ndryshim në peshoren e pushtetit, por udhëheqësit e opozitës janë të mendimit se sinjali ishte shumë i rëndësishëm, përpara zgjedhjeve të shtatorit në vitin 2013.

Kina: Asnjë komplot për vrasjen e Dalai Lamës
Pekini zyrtar reagoi me agresivitet ndaj një artikulli të një gazete kineze në diasporë, ku zbulohej një plan i detajuar për vrasjen e liderit shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lamës. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme i cilësoi akuzat si “të pabaza” dhe “keqdashëse”. Lajmi i publikuar në gazetën “Global Times” i referohej vetë fjalëve të Lamës, i cili pretendoi se një agjente femër ishte paguar për t’iu afruar dhe për ta helmuar atë. ”Këto zbulime të bujshme as që meritojnë të komentohen. Ato janë tërësisht të pabaza. I veshur me një mantel fetar, Dalai Lama vazhdon misionin e tij ndërkombëtar të frymëzimit të lëvizjeve separatiste kundër interesave të Kinës”, deklaroi zëdhënësi, që shtoi: “Komploti i vrasjes së tij është diçka që mund të gjendet nga një novelë e arteve marciale. Duke ofruar një informacion të tillë kaq të pabesueshëm, Dalai duket se ka filluar të humbasë kthjelltësinë e tij me moshën”. I shpallur një qytetar “non grata” në Kinë, Dalai Lama akuzohet prej kohësh prej Pekinit zyrtar për tentativat e tij të ndarjes së Tibetit, me qëllimin e themelimit të një shteti të ri.