50 fakte të veçanta nga jeta e Ramiz Alisë

Filed under: Speciale |

Ramiz Alia, në mos nga të rrallët, është i vetmi shqiptar që jo vetëm ka jetuar, por dhe ka mbajtur poste drejtuese në shtetin shqiptar në tre epoka. Drejtues kryesor në rininë antifashiste komuniste gjatë Luftës, ministër, anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Parë i Komitetit Qendror dhe President gjatë komunizmit dhe Presidenti i parë pluralist, ai vazhdon të jetë një dëshmitar dhe njëkohësisht ish-aktor i gjallë i asaj që ka ndodhur në majë të pushtetit. Në 83 vjet që mban mbi supe, Ramiz Alia ka njohur shumë ulje e ngritje. Është cilësuar si një kuadër me të ardhme, është cilësuar si një ministër i qëndrueshëm, është cilësuar një byroist konsekuent, është cilësuar si pasuesi më i denjë i Enver Hoxhës, por edhe është akuzuar për prapaskena me krahasimin Jago, liberalizëm me krahasimin Gorbaçov, e deri tek shkaktar i kaosit të vitit 1990-1991, ai pothuajse është nga të vetmit personazhe që i ka provuar të gjitha. Një jetë e tërë e mbushur me ecejake, ulje-ngritje, që, nëse vihen në kandar çdokush mund të dallojë vetë aq qartë se kush ishte dhe është Ramiz Alia. Gazeta “Tirana Observer” nuk është munduar të shkruajë historinë e jetës së tij në mënyrë definitive, por mbi bazën e fakteve dhe ngjarjeve, sjellë portretin e tij në 50 fakte që vijnë si nga kujtimet personale, nga kujtimet e të tjerëve, por edhe nga studime të ndryshme historike, enciklopedi vendase e të huaja, e deri tek deklarata që kanë mbetur në mendje të publikut.

1. Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925. Është me orgjinë nga Gjakova e Kosovës, lindi në Shkodër, u arsimua në Rusi dhe prej 70 vitesh jeton në kryeqytet.

2. Ramiz Alia është ndër të rrallët politikanë që ka jetuar dhe jeton tre epoka në Shqipëri. Atë të Luftës Antifashiste si partizan, të sistemit komunist si kuadro i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit.

3. Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991).

4. Në prill të vitit 1985, Ramiz Alia është emëruar pasues i Enverit në shtëpinë e këtij të fundit. Kur mjekët i dhanë lajmin se Enveri vdiq. Haxhi Lleshi në korridoret e vilës së Hoxhës në Tiranë i është drejtuar me fjalët. “Të rrojë Partia, të rroni ju shoku Ramiz”, duke nënkuptuar se vendin e Enverit mund ta zinte vetëm ai.

5. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985, Ramiz Alia u betua se do e mbante sistemin komunist përjetë. Në fakt ai e udhëhoqi vetëm për pesë vite 11 muaj e 22 ditë, deri në dorëheqjen e tij, më 3 prill të vitit 1991.

6. Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit.

7. Ramiz Alia ishte Presidenti që firmosi ligjin që lejonte krijimin e partive dhe shoqatave politike. Ky akt i firmosur më 12 dhjetor 1990 formalisht i dha fund sistemit monopartiak dhe krijonte mundësinë e pluralizmit të partive dhe shoqatave të tjera në vend.

8. Ramiz Alia është President i parë i dalë nga një parlament shumë partiak. U zgjodh në 30 nëntor të vitit 1991 dhe e mbajti këtë detyrë për 11 muaj e 21 ditë, deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, Sali Berisha, më 9 prill 1992.

9. Është i pari zyrtar i lartë i komunizmit që pranoi të largohej nga pushteti me zgjedhje demokratike. Edhe sot zgjedhjet e vitit 1992, mbahen më pak problematiket me gjithë tensionin që shoqëruan një eveniment të tillë. Alia dha dorëheqjen më 3 prill të vitit 1992.

10. Ka meritën se ndërrimi i sistemeve nuk u polarizua në një shkallë të tillë që mund ta kthente atë në një luftë civile. Edhe pse në këndvështrime të ndryshme, akti i lejimi të pluralizmit me një vendim byroje tregonte një emancipim për gjithë vendet e Evropës Lindore.

11. Lufta e klasave, ndalimi i fesë, kolektivizimi total i ekonomisë, janë ndër nga gabimet e komunizmit në Shqipëri që janë pranuar nga vet udhëheqësi komunist, Ramiz Alia. Në deklarata të ndryshme Alia është shprehur se nëse këto tre çështje do ishin realizuar në mënyrë më të butë, atëherë regjimi nuk do ishte kaq i ashpër.

12. Ramiz Alia u akuzua për korrupsion dhe për dhunim të të drejtave njerëzore në vitin 1993. Bashkë me të u arrestuan Nexhmije Hoxha, Zylyftar Ramizi, Hajredin Shyti, Shefqet Peçi, Aranit çela, Hekuran Isai.

13. Gjyqi për ish-funksionarët e lartë të Partisë së Punës e dënoi me 9 vite burg, për dhunim të të drejtave njerëzore. Në vitin 1997 dhe çështja e tij u pushua dhe Ramiz Alia fitoi sërish lirinë.

14. Më 12 shtator të vitit 1992, ndaj Ramiz Alisë merret masa e arrestit në shtëpi. Akuza ishte shpërdorim detyre. Së bashku me të u arrestua dhe ish-kryeministri Adil Çarçani; avokati i tij ishte Kleanthi Koçi; ndërsa prokurori i çështjes, Arben Qeleshi; hetues, Maringlen Rrapi.

15. Më 19 gusht arrestohet në shtëpinë e tij me urdhër të prokurorisë. Tre policë e shoqërojnë për në burgun 313 në Tiranë. Protesta e tij në ato momente ishte, “se një kryetar shteti nuk mund të arrestohej nga tre policë të thjeshtë, pa avokat dhe pa prokuror”.

14. Alia u dënua me nëntë vite burg, në 21 maj 1994, në ditën e Kurban Bajramit. Një koincidencë që vet Alia e vë re te kujtimet e tij, 10 anëtarë të Byrosë u dënuan gjatë Krishtlindjeve të vitit 1993. Ndërsa Fatos Nano në ditën e Pashkëve.

15. Historia, Ramiz Alinë dhe Fatos Nanon, nuk do t’i takonte vetëm në debatet mes udhëheqjes dhe intelektualëve në vitin 1991. Gjatë vuajtjes së dënimit, Alia dhe Nano do t’i ndanin vetëm një mur dy qelitë e tyre në burgun e Bënçës në Tepelenë, deri në vitin 1997.

16. Është politikani që pas viteve 1990 është sulmuar nga të dy kampet. Komunistët e akuzuan për tradhti, sepse nuk mbrojti sistemin dhe nuk u tregua i ashpër me studentët e dhjetorit. Demokratët e akuzuan se u tregua i ashpër në ngjarjet e vitit 1991.

17. Që nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, në shkurt të 20 shkurtit 1991, shënoi dhe prishjen e marrëdhënieve mes Ramiz Alisë dhe bashkëshortes së diktatorit, Nexhmije Hoxha. Prej 17 vitesh dy njerëzit që mbajtën për gjashtë vite sistemin nuk flasin më.

18. Ramiz Alia është i vetmi zyrtar i lartë i sistemit komunist që jetëshkrimin e tij e ka një faqe zyrtare të shtetit shqiptar. Në adresën ëëë.President.al. Bashkë me katër presidentët e tjerë të vendit. Një vlerësim i rrallë nga qeveritë demokratike për ish-komunistët.

19. Është ndër të pakët byroistë dhe politikan i diktaturës që vazhdon të ketë marrëdhënie të përhershme me gazetarët nga më në zë të vendit. Dhe jo vetëm me gazetarët në Tiranë, por bashkëpunon dhe me shumë media në Prishtinë.

20. Ramiz Alia është ndër të paktët anëtarë të Byrosë Komuniste që fjalimet i shkruante vet në letra të vogla formati, pa ndihmën e këshilltarëve. Ishte ndër të rrallët drejtues shteti në Byronë Komuniste që kishte kapacitete intelektuale të admirueshme.

21. Nga origjina familjare është i besimit mysliman. Por në vitin 1960 ishte pjesë e sistemit që ndërmori heqjen e besimit fetar. Ndërsa i njëjti person në vitet 1990 hodhi hapin e parë për lejimin e besimit fetar në vend.

22. Ramiz Alia njihet gjatë studimeve në Moskë me gruan e tij të ardhshme, Semiramis Xhuvanin. Semiramizi, megjithëse gruaja e një prej njerëzve me më shumë pushtet, nuk pati ndonjë ndikim apo ndërhyrje në jetën politike, siç ndodhi me shumë bashkëshorte të udhëheqësve të Bllokut.

23. Ramiz Alia ka tre fëmijë. Dy vajza, Zanën, Besën, si dhe një djalë, Arbeni. Pas viteve 1990 djali dhe një vajza jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë në Francë dhe në Suedi. Ndërsa vetëm njëra qëndroi në Shqipëri. Martesat e fëmijëve të Alisë janë bërë jashtë rrethit të njerëzve me pushtet.

24. Semiramis Alia, bashkëshortja e Ramiz Alisë, vdiq në vitin 1985 nga një sëmundje e rëndë. Cilësohej si një nga gratë më të kulturuara të Bllokut. Ishte vajza e studiuesit të njohur Aleksandër Xhuvani dhe lindi në Elbasan në vitin 1925.

25. Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë veç bashkëpunimit politik vitet e fundit i lidhi dhe një krushqi. Tuta, vajza e vëllait të Ramiz Alisë, është dhe nusja e djalit të Enver Hoxhës, Ilirit.

24. Në moshën 80-vjeçare, Ramiz Alia, duket se ka thyer dhe një rekord “Giness”. Ka mësuar kompjuterin dhe përdor në mënyrë të shkëlqyer internetin dhe e-mailin. Një gjë e jashtëzakonshme për moshën e tij.

25. Ramiz Alia ka një nga bibliotekat më të pasura në vend. Që nga studimet në rusi e deri në ditët e stome, ka në shtëpinë e tij me mijëra libra dhe dokumente të kohës që ai ishte në drejtim të shtetit shqiptar.

26. Ramiz Alia vazhdon të ketë një adhurim të veçantë si shkrimtar për Ismail Kadaren dhe verat e tij. Megjithëse gjatë ndarjes së sistemeve, Kadare dhe Alia patën jo pak herë debate në publik për çështje të ndryshme, mëritë nuk i kanë ndikuar në shijet artistike të Alisë.

27. Për 40 vite me radhë do të ishte në krah të Enevr Hoxhës. Të tjerë para tij e provuan të ishin në krah të diktatorit dhe nuk arritën të mbyllnin jetën me lavdi. Ndërsa Alia jo vetëm ishte më i besuari dhe i mbijetoi intrigave të kupolës, por për gjashtë vite ishte dhe pasuesi i Hoxhës.

28. Si nxënës hyn tek ata që vlerësohen shkëlqyeshëm. Lëndët e preferuara për të kanë qenë matematika, fizika e kimia. Ndërkohë që në rini ëndërronte të bëhej inxhinier. Një dëshirë që nuk ju realizua, pasi studimet e larta i përfundoi për filozofi politike në Moskë.

29. Anëtari i Rinisë së Partisë Komuniste u bë në dhjetor të vitit 1941, pak kohë pasi ishte themeluar Partia Komuniste. Ishte sekretar i Organizatës së Rinisë Komunistë në vitin 1942, në klasën e gjimnazit të Tiranës.

30. Në qershor të vitit 1941, Ramiz Alia ka qenë dëshmitari i demonstratës së parë ku, merrte pjesë Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Ky ka qenë kontakti i parë viziv mes tij dhe Hoxhës.

31. Në muajin gusht të vitit 1942 arrestohet nga italianët për aktivitetin e tij në organizatën e rinisë komuniste në gjimnazin ku studionte. Pasi mbahet disa ditë në kuesturë lirohet.

32. Aktivitetin si anëtar i Partisë Komuniste e ka nisur në moshën 17-vjeçare, së bashkua me Manush Alimanin. Ndërsa ndër njerëzit e parë drejtues të Partisë Komuniste ka pasur kontakte me Nako Spiron.

33. Ramiz Alia bën pjesë në komunistët e parë shqiptarë që ishin nga veriu, por së bashku me të ishin dhe Ali Kelmendi, Shtjefen Ingrizi, Ndoc Deda, Zef Mala, Gjin Marku, Ramadan Çitaku, Haxhi Lleshi, Nexhmije Xhuglini, Vojo Kushi.

34. Dy drejtuesit komunistë, Alia dhe Hoxha, historia do t’i takonte në muajt e parë të vitit 1943. Alia ishte 18 vjeç, ndërsa Hoxha 35 vjeç në një shtëpi në Tiranë. Askush nuk di çfarë kanë folur për herë të parë. Por aty do të niste historia e sistemit komunist në Shqipëri. Detyrën e parë si komunist e ka marrë në qytetin e Beratit. Me urdhër të Nako Spirut ai delegohet të ngrejë bazën e rinisë në qytetin Beratit. Që nga ajo kohë ai merr pjesë aktive në rezistencën kundër pushtuesve fashistë dhe më pas atyre gjermanë.

35. Gjatë Luftës Antifashist Nacional Çlirimtare detyra më lartë që pati ishte ajo e sekretarit të Komitetit Qendror të Bashkimi Rinor Antifashist Shqiptar. Aktivitetit i tij kryesor ka qenë më rininë. Si partizan ka luftuar në jug të Shqipërisë në Berat, Skrapar, më pas në verilindje të vendit. Ndërsa më vonë brigada e tij luftoi në Kosovë, por edhe në Jugosllavi në qytetet e Sanxhakut, Jecinjë e Novi Pazar, Vishegrad, .

36. Për humbjen e Kosovës në 1945, Alia ka dhënë versionin e tij, ku deklaronte se nuk mund të bëhej luftë me serbët, pasi dhe ata luftonin fashizmin. Nuk mund të ndryshoheshin kufijtë, pasi nuk do t’i njihte askush. Dhe Shqipëria në luftë u rendit fituese dhe s’mund të niste një luftë ballanike. Në fakt asnjëherë gjatë luftës nuk është diskutuar për Kosovën.

37. Pasi përfundoi studimet në Moskë, Alia mori një sërë detyrash në organizatat e rinisë Komuniste. Kryesisht u angazhua në sektorët e kulturës, arteve dhe më pas atë të ideologjinë që përgatiste brezat e rinj. Për tre vite nga 1955 deri më 1958 Alia ka mbajtur detyrën e Ministrit të Arsimit. Kjo është detyra me e lartë në eksekuztiv që mori që pas mbarimit të Luftës, ishte një nga kuadrot që shihej me sy të mirë edhe për shkak të armimit të tij në Rusi.

38. Gjatë karrierës së tij politike, Alia është shquar për veprime të moderuara brenda linjës së partisë. Kjo ka bërë që në ambientet e ngushta te kupolës së drejtuesve komunist, Ramiz Alia të njihej me epitetin “liberali”. Si drejtues i shtypit dhe propagandës, ishte një nga anëtarët e byrosë në fushatën për heqjen e fesë. Ndikimi i “Revolucionit kulturor kinez” dhe emancipimi i shoqërisë ishin themelet e kësaj fushate në vitet 1960-1970. Megjithëse vetë Alia më vonë do ta cilësonte një hap të nxituar.

39. Ramiz Alia ka qenë një nga katër anëtarët e delegacionit shqiptar në mbledhjen e 80-n partive komuniste në Moskë, ku Shqipëria u nda nga kampi rus. Alia ka përkthyer bisedën mes Enver Hoxhës dhe Hrushovit ku u vulos largimi i Shqipërisë. Një nga momentet më të vështira në karrierën e tij ka qenë prishja e marrëdhënieve me Rusinë. Alia kish mbaruar studimet në Moskë dhe gjithë kuadrot që vinin andej shiheshin me tjetër sy. Madje flitet se Rusët i kanë propozuar dhe vendin e Enverit nëse Shqipëria mbetej pjesë e kampit.

40. Në vitet 1970 deri në vdekjen e Enver Hoxhës ishte njeriu i tij më i besuar. Ishte ndër të vetmit që mund të shprehte një mendim ndryshe në takimet më të dhe të orientonte qëndrimet politike. Gjithashtu ishte i vetmi që respektohej nga gjithë familja Hoxha. Në listën e “liberalëve” që u dënuan në vitin 1974 ka qenë dhe emri i Ramiz Alisë, bashkë me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Në Plenumin e Komitetit Qendror, Mehmet Shehu e ka akuzuar ashpër për liberalizëm. Por Enver Hoxha e shpëtoi Ramizin vetëm me një vërejtje.

41. Marrëdhëniet e tij me kryeministrin Mehmet Shehu cilësohen si më të ashprat mes dy përfaqësuesve të Bllokut. Në letrën që ka lënë Shehu para vdekjes, një pjesë e akuzave i drejtohen dhe Ramiz Alisë. Megjithatë, Alia nuk e ka sulmuar kurrë figurën e Shehut. As kundërshtarët politikë nuk e kanë sulmuar aq ashpër Ramiz Alinë sa ish-kryeministri Mehmet Shehu. Në letrën që i dërgonte Enver Hoxhës, Shehu e cilësonte Ramizin si “Jagoja i Shqipërisë”. Ndërkohë që për të tjerë ai është dhe “Gorbaçovi i Shqipërisë”.

42. Ramiz Alia është i pari anëtar i Byrosë Politike që ka folur dhe ka dhënë dëshmi për vdekjen e Mehmet Shehut. Në të gjithë intervistat ka deklaruar se, “Mehmeti ishte njeri shumë krenar dhe vrau veten, nuk mund t’i duronte kritikat”.

43. Mbledhjen e parë të Byrosë Politike Ramiz Alia e ka drejtuar më 13 prill të vitit 1985, vetëm dy ditë pas njoftimit zyrtar të vdekjes së Enver Hoxhës. Ndërkohë prej vitesh ai ishte etiketuar si pasuesi i tij, ndaj marrja e kësaj detyre nuk u shoqërua me debate. Edhe pse kryetar i Byrosë në dy mbledhje të këtij institucioni karrigia ku qëndronte ulur Enver Hoxha nuk është zënë nga askush. Ramiz Alia i drejtonte mbledhjet nga vendi ku qëndronte gjithmonë kur ishte gjallë Enver Hoxha.

44. Është funksionari i parë i sistemit komunist që zhvilloi takime me përfaqësues të vendeve perëndimore pas 40 vitesh izolim. Me kryeministrin e Maltës në 1983 dhe me kryeministrin e landit të Bavarisë 1984, dhe lejoi lidhjen e marrëdhënieve me Gjermaninë në 1988. Vetëm një vit para se në Shqipëri të organizoheshin protestat e para në Plenumin e tetë të Komitetit Qendror të PPSH, në vitin 1989, Ramiz Alia deklaron se nuk do të ketë hapje të vendit dhe komunistët nuk do të lëvizin asnjë pikë nga vija e Partisë.

45. Deklarata më e bujshme e Alisë si kryetar i Byrosë është e ajo vitit ’89, kur pranon dështimin e sistemit ku kish besuar gjithë jetën. “Sistemi ynë ka falimentuar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Do të nxisim të krijohen parti sa të duan, të majta të djathta, të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne, programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë ne”.

46. Ramiz Alia është i pari kryetar shteti që pas 45 vitesh vizitoi Amerikën. Më 1989 bëri vizitën historike në Asamblenë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më shumë domethënës sesa fjalimi që mbajti atje, ishte fakti që një komunist vizitonte qendrën e kapitalizmit.

47. Kur Ramiz Alia fliste në 28 shtator të vitit 1990, në Asamblenë e OKB-së përpara ndërtesës ishin grumbulluar me qindra shqiptarë të Amerikës që protestonin kundër Alisë, si pasuesi i diktatorit Enver Hoxha. Ndërsa në lokalin e amerikano-shqiptarit, Anthoni Athans, mbështetësit e Alisë dhe kundërshtuesit e tij u përleshën.

48. Ramiz Alia ishte presidenti që inicioi vendosjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas 51 vitesh ndërprerjeje që në prill të vitit 1939, në vitin 1990 u vendosën sërish kontaktet diplomatike.

49. Disfatën më të rëndë të jetës së tij, Ramiz Alia cilëson firmosjen e dekretit të pluralizmit. Në një intervistë që ka dhënë thotë se: “Nuk ishte një kënaqësi, sepse ajo ishte një disfatë për ne. Në qoftë se do të thosha në jetën time çfarë shënon ajo, ajo shënon një disfatë. Unë kam luftuar për socializmin, kam luftuar për një shoqëri pa klasa, për një shoqëri komuniste. Ishte një dështim”…

50. Vlerësimi i Alisë për Enver Hoxhën gjatë viteve të fundit, nuk ndryshon nga ai i viteve 1980. “Duan apo s’duan simpatizantët ose kundërshtarët e tij, Enver Hoxha për afro pesë dekada ishte në krye të shtetit shqiptar. Ka pasur edhe gabime e veprime të padrejta, për të cilat mban përgjegjësi Enveri, si dhe gjithë udhëheqja e partisë. Por është fakt, që nën udhëheqjen e Hoxhës, vendi hodhi hapa të rëndësishëm përpara në zhvillimin ekonomik, arsimor e kulturor”.