20 vjet nga ‘97: Rrëfimi i ish-kryetarit të Komitetit të Shpëtimit për Vlorën

Luftar Petoshatin e kam takuar për herë të parë më 28 mars të vitit 1997. Emri i këtij ish-ushtaraku ishte bërë i njohur ngaqë ishte zgjedhur kryetar i Komitetit të Shpëtimit Publik për Vlorën. Pikërisht më 28 mars bëhej një mbledhje e Komiteteve të Shpëtimit në shkallë vendi dhe Luftari ishte mikpritësi. Gjithçka i shëmbëllente një skene surrealiste. Ndërsa përjashta gjëmonin krismat pambarim të3 armëve, brenda në sallë hynin e dilnin njerëz të armatosur. Aty kam takuar edhe Gjolek Malaj nga Tepelena, i cili ishte i veshur me jelek antiplumb.

Atë ditë u lëshua një ultimatum kundër ish-Presidentit Sali Berisha, një ultimatum që ngeli pa përgjigje. Në mbrëmje dëgjuam nga kanalet italiane lajmin e zi të mbytjes së një anije me refugjatë në kanalin e Otrantos. Flitej për rreth 100 të mbytur…

Njëzet vjet më pas, Luftar Petoshati boton ditarin e tij për atë pranverë të përgjakshme. Në këtë pjesë të parë të ditarit flitet për fillimin e protestave, pas falimentimit të firmës piramidale të fajdeve “Gjallica”/Përgatiti botimin Xh. Shehu

 

15 janar 1997

Me dy orë gjumë e përcolla natën dhe agimi mëngjesor e hodhi tutje detit çarçafin e zi si një carge. Mbrëmë me njoftuan se sot do të fillojë punën një televizion privat, pronë e Z. Jashar Lame. Realizimi i një nisme të tillë është një ndihmesë që i jepet demokracisë, fjalës së lirë, biznesit kulturor, artit etj., në jetën e qytetit tonë, Vlorës. Thuhet se do të pagëzohet me emrin TELE BLU. Më duket një emër i goditur. Siç duket të zotët,duke iu larguar natyrshëm ngjyrave të nxehta, ku hyjnë: e kuqja, e verdha dhe portokallia, zgjedhin një nga ngjyrat e ftohta, por as jeshilen e as manushaqen, por veçse blunë. Po bluja është ngjyra e detit tonë shekullor që ka një jetë të tërë që na gëzon, na nanuris e na rrit ne vlonjatëve. Nuk dua të mendoj kurrsesi se bluja e TELEBLUSE do të feksë në ngjyrën e flamurit partiak të PD. Në ditët që vine ai do të pasqyrojë në gjithë programet tij. Është pranuar shkencërisht tashme se ngjyra blu është e pranueshme, joshëse e tërheqëse për retinën e syrit, sa herë që ky bie në kontakt me të. Çdo rënie e syrit – në blunë bëhet e butë, e pranueshme, e këndshme dhe pranon një binjakëzim me këtë ngjyrë përherë. Ky tashmë nuk është një kuriozitet por një përfundim i hershëm shkencor. Ne presim të tërhiqemi pas emisioneve qe, siç thuhet, presin të fiksojnë sot. Do dëshiroja, si gjithë shokët e mi, që të ketë një ekip profesionist dhe, me sa dëgjova një ekip të tillë e paska gjetur dhe e ka kontratuar pronari i TeleBlusë. Të paraqiten me profesionalizëm, me vërtetësi programet e të gjitha zhanreve, i pa ndikuar nga partitë, pra i depolitizuar në kuptimin real dhe faktik të kësaj kërkese.  Ja kjo është kërkesa e të gjithë neve vlonjatëve. Nuk do të donim kurrsesi që ai t’i ngjante apo t’i huazonte sadopak TVSh-së, që ka kohë që ka mbuluar me terr informativ mbarë vendin dhe është vënë totalisht në shërbim të PD. Mund të pohoj seriozisht se urrejtja ndaj tij është masive, dhe për këtë mund të vërtetojmë në çdo rast e në çdo kohë përgjithësisht. Drejtues teknik i TeleBlusë eshte caktuar Z.Vasil Qesari, një telekronist i vjetër dhe me përvojë të gjerë, nje intelektual me kulturë sa dhe profesionist. Folës do të jetë djaloshi Roland Minga, biri i një shokut tim të hershëm të shkollës, Filip Mingës, një djalë i aftë dhe i provuar. Shpresojmë se TeleBlu do te jete një profesionist intensiv. I urojmë TeleBlusë rrugë të mbarë , të cilën do ta shohim e provojmë në ekranet tona televizive. Shpresojmë të prijë për mbarë dhe për homologë të tjerë në qytet e në fqinjë, për të mirën e publikut të gjerë teleshikues.

***

Pa shkuar ende ora 08:00, dola me ngut nga shtëpia pasi shoku im Nasi Kate, sekretari i seksionit tonë të pensionisteve, më njoftoi me telefon se po ve re një dyndje të kreditorëve përreth firmës “Gjallica”. Ne fakt ka patur një njoflim për të cilin nuk mund të them saktë se sa do të realizohet, që sikur “Gjallica” sot do të ndajë paratë. Nejse, ashtu qoftë. Hapa radion time të vogël, për të kapur çfarë mund të dëgjoja në tre llojet e valëve: të shkurtra, të gjata dhe të mesme.  Lëviza variometrin gjithandej për të dëgjuar ndonjë stacion që fliste shqip, ngrita edhe potenciometrin. Nuk munda te dëgjoj, gjithandej jepej muzikë, këngë në të gjithë stacionet që ishin në programin e punës. Në gjithë stacionet e botës këndohej në të gjithë zhanret. Edhe në një stacion tonin që gjeta, këndohesh. E lashë në vendin ku kënga dëgjohesh më mirë e më qartë. Te stacioni i gjetur këndohesh kënga “Dy dele,300pare”. Kur ajo mbaroi dëgjova këngën “Bubullin te shkëmbi i Kavajës”.

lut-271x300E lashë në atë pozicion dhe u nisa për te “Gjallica”. Ata të shtëpisë le ta fiknin pas ikjes time. Para ambulancës, te pallati “L”, takova Nasin, i cili e ka shtëpinë në këtë pallat. Në boshllëkun hapësinor përreth pallatit gjeta grupe njerëzish që bisedonin vrullshëm dhe me shqetësim, ndërsa shikimin dhe vëmendjen e kishin drejtuar aty, pak sa më në perëndim, ku gjendesh godina 4-katëshe e “Gjallicës”. Hyrja në të bëhej nga ana perëndimore, ndërsa përballë nesh, nga pjesa lindore, ka sportelet e saj në të gjithë katin e parë përgjatësisht. Në të gjithë gjatësinë e tyre është tenda e ndërtuar bukur dhe e gjerë që të mbron nga dielli dhe shiu. Ne, gjithë njerëzit e mbledhur në grupe, ka edhe njerëz të ardhur nga rrethet e tjera të vendit. Me gjithë masat që duket se janë marrë për ruajtjen e firmës, për të mos u afruar dhe hyrë në ambientet e saj, mjaft grupe janë afruar në afërsi shumë të mëdha të territorit të saj nëpërmjet pallateve përreth bllokut të shtëpive. Kordoni i jashtëm i policisë për të penguar afrimin, është shkëputur në shumë hallka, gjë që prania e njerëzve sa vjen e rritet deri te dyert e firmës. Rojet e firmës dhe policët e ardhur në përforcim, ndaluan dhe shtynë grumbujt e njerëzve dhe benë çmos për t’i drejtuar e shpërndarë ata në pjesën perëndimore të pallateve. Nga pjesa juglindore, afrimi për te firma ishte i pamundur dhe rruga ishte e ruajtur dhe e zënë nga një furgon policie. Unë u afrova nga ana veriore, ku ishte një pallat i xhaxhës tim, për të gjetur një shteg para këtij pallati që të çonte gjatësisht tek “Gjallica” dhe sosa para saj ku gjeta disa njerëz që kishin depërtuar kordonin e çoroditur të mbrojtësve. Fillimisht grumbullimi i njerëzve u bë i heshtur, megjithë rreptësinë e policëve të vendosur në rrethimin e jashtëm. Por sidoqoftë pati mjaft individë që depërtuan dhe u gjendën perballë firmës.

***

Por në orën 09:00, grumbullimi së jashtëmi i njerëzve u mblodh e u bë tepër kompakt. Ishte çast që vala e presionit të njerëzve në shtytje u shumëfishua dukshëm përballë kordonit të policëve. Ai u bë kulmor dhe i papërballueshëm. Si kur gjithë këtë kordon të fuqishëm të vendosur në largësi sigurimi të plotë nga firma ta krahasonim me trupin metalik të një anijeje të madhe , por që ndaj saj do të godisnin predhat e artilerisë apo të silurave, uji do të hynte fuqishëm e me presion në drejtim nga jashtë, prej detit nëe brendësi të anijes. Edhe me kordonin e policëve kështu ndodhi, ai fillimisht u shty zorshëm pas, mandej në disa vende u ça dhe njerëzit rendën vrullshëm përpara, pa pengesë.

Përballë policëve turma kërkonte rrugë lëvizjeje dhe thërriste: “Duam Fitim Gerxhalliun” “Hapni sportelet”; “Kemi për të marrë parat딑, “Na keni premtuar””Deri kur do ta shtyni me?”-; “Pse na gënjeni?” , dhe mbas gjithë këtyre zërave, fjalëve e shprehjeve turfulloi, gjëmoi e buçiti refreni jetik, refreni sintezë i gjithë protestave të asaj pranvere të përgjakshme: “Duam parat tona”.

Gjendja u rendua, u bë më kompakte, më drithëruese dhe me shpërthyese me refrenin “Duam paratë tona’ Thirrja e fuqishme “Duam paratë tona” e hutoi dhe e stepi njëherazi policinë përballë turmës, apo të copëzuar midis radhëve të popullit që protestonte fuqishëm: “Duam paratë tona”. Ata në vetëdije e kuptuan se i gjithë ky popull nuk kishte ardhur këtu të prishte rendin, të godiste policinë, të rrëzonte qeverinë e aq me pak presidentin Sali Berisha që na kishte garantuar se paratë tona ishin më të pastrat në botë. Ata e shihnin se përballë tyre ishte populli që ata i shërbenin, ishin edhe njerëz që ata mund t’i njihnin,ishin shoke e miq, krushq e kushërinj apo vëllezër e motra e prindërit e tyre. Prandaj thirrja parullë ishte një thirrje simbol “Duam paratë tona”,nuk kishte asnjë kah armiqësor,ajo nuk kërcënonte njeri, ajo nuk shkelte aspak demokracinë.

Më duhet ta përsëris se ajo ishte një thirrje dhe nuk kishte kurrsesi një sens prekës, fyes apo shkelës të demokracisë. Ajo ishte dhe mbetet një nga parullat me përmbajtjen më demokratike që mund të thuhet e mund të gjendet “Duam paratë tona”.

Ja dhe çasti i mbërritur mbas dyndjes sonë dhe çarjes se rrethimit të parë: Populli, ne kreditorët, ballë për ballë policisë së shtetit dhe asaj të firmës. Tashmë gjendja ishte disi më e tensionuar. Ne me thirrje të forta kërkonim paratë tona, ata me tendosjen nën një shqetësim çoroditës me një lloj shikimi klasik e të përhumbur nga ne, ndërsa me një lloj shikimi shqetësues në shpirt, mbanin e mbanin pas shpine ndërtesën misterioze të firmës,me sportelet e saj, brenda të cilëve mund të ishin vetëm paratë tona. Në qoshe të sporteleve dhe në tendën gjatësore te tyre, ne vërenim dukshëm pezhishkat që sa dukesh se kishin patur kohe të ndërtonin merimangat që nga dhjetori i kaluar. Unë gjykova se ishim në momente delikate, gjë që nga çasti ne çast, i gjithë ky tension mund të behej njëherazi shkarkues. Një gjendje e tillë, me pale kundërshtuese e ballafaquese përballë njëri- tjetrit, tentonte në ecuri konfrontuese.  Një zhurmë, një ngjeshje, me fytyra të ngërdheshura në të dy pozicionet e të dy palëve me njeri-tjetrin afër, ballas, karshi në rritje.

Gjithë populli kredidhënës me librezat e depozitave në xhep, të ardhur e të grahur sipas llafit që do te ndahen paratë jemi përballe shkeljes së fjalës së thënë dhe të afateve për kthimin e interesave. Po s’është e thënë,sot ne nuk kemi drejtuesit e firmës por policinë , që me gjuhën e ashpër, të prerë dhe urdhëruese kërkon largimin tone nga oborri i firmës dhe gjithandej përreth saj. Fjala e tyre e ashpër ka sinonim mbrojten me shkopinjtë e gomës që i rrotullojnë krenarisht e kërcënueshëm përballë nesh. Presim të dalë ndokush. Më mirë do të ishte të dilte presidenti i firmës, po edhe ndonjë menaxher a sportelist, të na thoshte diçka, të na thoshte se kur, qysh e si do të fillonte shpërndarja e parave. Por këtu s’ndodhet askush, të tërë janë zhdukur në mënyrë të mistershme dhe askush nuk di gjë, askush nuk të thotë gjë. Po halli si i behet? Ky është një fakt sa shqetësues dhe irritues, qe njëherazi bëhet dhe revoltues,pra që të çon në shpërthim natyral.

Po ndaj kujt rezervohet e drejtohet një shpërthim i tillë? Ndaj qiellit, doemos që jo sepse as qielli dhe as ai që tradicionalisht nënkuptohet që është atje, nuk dinë gjë për çka është bërë e çka po ndodh këtu poshtë, midis njerëzve. Del çështja që duhet të drejtohemi ndaj drejtuesve të firmës ,po ata janë zhdukur kushedi se ku, madje mbrohen nga shteti. Kuptohet që shteti, qeveria është ombrella e drejtuesve dhe administratorëve të firmës. Po shteti e ka mbrojtësin e vet, ka policinë, dhe ajo është e pranishme, e vrazhde dhe e armatosur me të gjitha çka i duhen, me armë,me byzylykë, me shkopinj e me makina. Ajo ndodhet përballë nesh me hijen dhe ngjyrën mbrojtëse të saj.

Në këto çaste do të doja që megjithëse e dinë dhe e kanë marrë vesh se ç’po ndodh këtu te “Gjallica” tani, sot, të ishin me praninë e tyre gjithë zoterinjtë drejtues pushtetarë, duke filluar nga Kryetari i Këshillit të Rethit, Z. Arqile Kume e deri tek kryebashkiaku Z.Gëzim Zilja, sëbashku me prefektin,Z.Afrim Kaci.  Veç të vinin të shikonin, të dëgjonin e të ndikonin me një mesazh qetësues për këtë prani popullore prej mbi 2000 njerëzish, sepse është ky popull që i ka besuar dhe u ka dhënë votën. Pushtetarë që nuk merrni mundimin, se nuk doni t’i dëgjoni votuesit tuaj, ky për ju është një qëndrim burracak, imoral dhe tepër i neveritshëm. Edhe krye polici, Mulosmani, që e nxin gjendjen, edhe ai nuk ka denjuar të vijë deri këtu. E pse të vije, i ka shebekët e tij!

Po, dëgjoni o zotërinj, nesër do të jetë vonë, tepër vonë dhe do të jenë sa të je e neveritshme, anormale, antiligjore aq sa dhe hipokrite dhe të papranueshme dërdëllisja e justifikimi që mund të guxoni të thoni, se “jeni me popullin,duam Vlorën” dhe të tjera përgjërime servile, dyfytyrësie dështake. Tani pushtetarët ne shkallë horizontale dhe vertikale, padrejtësisht, për çështjen e firmave po heshtin. Kjo është një çudi, një çudi që ka brenda një përgjegjësi, pse jo dhe bashkëfajësi. Heshtni, heshtni, po mos kujtoni se një heshtje e tillë do t’u bëjë mirël Ju thërras ju pushtetarë e qeveritarë, ku jeni, pse s’përgjigjeni? Mos vallë kjo është mirësia e demokracisë?! Mos vallë këtë demokraci e ngritën lart dhe e zbukuruan firmat? Jo dhe jo! Po që me të vërtetë se ka qenë kështu, se kështu keni thënë ju, atëherë kjo ka qene bukuria që po na vret.

Ndërsa motori i mendimit tim, në fraksione milionëshe kohe, shtjellonte sa thashë,oficeri i policisë që kishim përballë, siç duket më i madhi në grade ndër gjithë oficerët e tjerë të pranishëm sot këtu, dukesh i shqetësuar, lëvizte tutje e tehu. Me anën e një radioje dore, ai jepte e merrte në një mori bisedash të shumëllojshme me eprorët e tij. Edhe mjaftë policë komunikonin sipas rastit me radiot e tyre të dorës. Dhe situata u ndez në kohen kur njëherazi policët mësynë për të shtyrë me forcë dhe ashpërsi popullin, për ta larguar e për ta shpërndareë atë gjithandej. Një djalë i fuqishëm para turmës, u foli me zë të fortë oficerëve:

-Pse na e fshihni, pse s’na e sillni Fitim Gërxhalliun, ku janë nëpunësit? Duam përgjigje!

-Ne nuk fshehim njeri, po ik po të themi, -i tha oficeri që ish përballë tij.

-Avash,-i tha djaloshi,-unë pyeta, kërkova shpjegim e nuk fyeva njeri që ti të më përgjigjesh me kanosje. Po fare mirë ju zoti oficer, pse s’bëni një gjë tjetër: Merr me radio Z.Sokol Mulosmani apo Z.Gëzim Zilja e t’u thuash si është puna dhe ata t’i bien gjithë sa kërkojmë ne këtu.

-Na mërzite,-ia priti oficeri, -po të ishte për të prurë, i kishim prure,po ti bën mirë të ikësh, ndryshe e ke me hak shkopin.

-Ohu! Po ky, pse ç’ke ti që dashke të më qëllosh, -i tha së fundmi djaloshi dhe bëri para e u fut midis shokëve të tij duke sharë e duke u inatosur. Nuk vonoi ndërkohë dhe një grup njerëzish, i revoltuar që ish vënë nën dhunën dhe presionin e një kordoni policor, çau nga drejtimi i shtëpisë së të ndjerit Nuri Sharra dhe sakaq u bë prezent, dhunshëm, përpara firmës./DITA

Të ngjashme

Recommend to friends
  • gplus
  • pinterest

Leave a comment